Asnjë konkluzion nga takimi i liderëve

Asnjë konkluzion nga takimi i liderëve

Gazetare: Fatlume Dervishi

Takimi i liderëve të partive parlamentare përfundoi pa konkluzione dhe pa marrëveshje për asnjërën nga çështjet që ishin shtruar në tavolinë. Kreu i opozitares VMRO-DPMNE Hristijan Mickoski tha se fokusi i pushtetit në këtë takim ishin ndryshimet kushtetuese dhe se janë shmangur temat për problemet reale të qytetarëve, siç është kriza ekonomike.

“Ajo që erdha në përfundim nga ky takim është se shumica nuk ka shumicë për ndryshime kushtetuese. Duke u nisur nga ky përfundim, kahje e logjikshme e ngjarjeve është që Kuvendi të shpërndahet, të formojmë qeveri teknike dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Këtë e kërkuam edhe në takimin e sotëm”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Secili takim i ardhëm në të cilin do të bisedohej për ndryshimet kushtetuese do të ishte i kotë, shtoi Mickoski.
E ndërkohë, opozitarja shqiptare Aleanca për Shqiptarët ka konfirmuar mbështetjen e saj për ndryshimet kushtetuese. Kreu i saj Arben Taravari deklaroi se me këtë rast, duhet të shikohet edhe mundësia e heqjes së 20%-shit pa potencuar nëse kjo është kërkesë ose kusht nga ana e tyre.

“E biseduam. Unë e hapa këtë si çështje dhe askush nuk kundërshtoj. Partitë shqiptare të gjitha mendojnë ashtu por edhe partitë maqedonase, të paktën më të mëdhatë, LSDM dhe VMRO-DPMNE publikisht kanë thënë se nuk u pengon asgjë të hiqet 20%-shi. Unë shpresoj se do të votohet. Nuk kam dilemë se do të votohet”, tha Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Ndryshimet kushtetuese nuk i mbështet deputeti i Lidhjes Demorkatike Pavle Trajanov i cili në takim kishte propozuar miratimin e një konkluzioni për të kërkuar që Bullgaria të njohë pakicat maqedonase. Propozimi i tij nuk është pranuar nga pjesa tjetër e pushtetit.

Kryeministri Kovaçevski deklaroi se vetë takimi në vete është hap pozitiv dhe se secili lider mund ta interpretojë sipas mënyrës së tij.

Kreu i BDI-së Ahmeti tha se dallimet nuk janë për t’u injoruar. Të dy bënë thirrje për mbështetje në procesin e eurointegrimit./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button