Antikorrupsioni përgënjeshtron Osmanin: në MPJ s’ka evidencë për makinat zyrtare

Antikorrupsioni përgënjeshtron Osmanin: në MPJ s’ka evidencë për makinat zyrtare

Gazetar: Lluka Andreev

Komisioni kundër korrupsionit mbetet në qëndrimin se Ministria e Punëve të Jashtme ka shpërdorur veturat zyrtare për qëllime partiake, përkundër mohimit të shefit të diplomacisë, Bujar Osmani. Sipas ministrit, anëtarët e antikorrupsionit kanë keqinterpretuar raportin e revizionit të brendshëm në MPJ dhe nuk ka pretendime të tilla siç janë paraqitur nga anëtarët e antikorrupsionit. Megjithatë, Komisioni Kundër Korrupsionit tregoi një foto të dokumentit.

“Kjo bie ndesh me pretendimin e ministrit se nuk ka raport të tillë nga “ndonjë” revizion i brendshëm dhe se KSHPK-ja po i keqinterpreton pretendimet”, thonë nga KSHPK.

Anëtarët e antikorrupsionit kanë theksuar më herët se gjatë periudhës zgjedhore, nga data 1 gusht deri në fund të tetorit 2021, Ministria e Punëve të Jashtme ka pasur 15 automjete të veta dhe dy të marra hua nga Agjencia e Inteligjencës, por nuk janë mbajtur shënime për ato dhe nuk është e mundur as të vërtetohet se sa karburant është shpenzuar. Ata sot kanë publikuar edhe citate nga gjetjet e revizionit, për të cilat Osmani ka thënë se janë keqinterpretuar.

“Në Përmbledhjen përfundimtare nga Ministri, ka situata që tregojnë se: nuk është caktuar personi kompetent për mbajtjen e evidencës së automjeteve dhe pajisjeve dhe servisimin, regjistrimin dhe sigurimin e tyre; nuk mbahen shënime se cili person drejton cilin mjet zyrtar, as nuk bëhen urdhëresa udhëtimi me shënimin e të dhënave për kilometrat e kaluar; nuk është krijuar asnjë sistem për të kontrolluar përdorimin dhe harxhimin e karburantit të automjeteve zyrtare”, njoftojnë nga KSHPK.

Nga Antikorrupsioni së fundmi kanë thënë se do të kërkojnë nga zëvendëskryeministrja për qeverisje të mirë, Sllavica Grkovska, që të nisë një iniciativë për llogaridhënie për Osmanin. Ende nuk ka përgjigje nëse do të nisë një nismë e tillë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button