Anulohet procesi gjyqësor për vdekjen e Maradonës, shkak bëhet dokumentari skandaloz

Procesi gjyqësor për vdekjen e Diego Armando Maradonës është anuluar nga Gjykata e San Isidro në Buenos Aires, pas skandalit që lidhet me realizimin e një dokumentari të paautorizuar, ku ishte përfshirë një nga tre gjyqtarët që po merreshin me çështjen. Ky vendimi për anulimin e procesit u shpall nga gjyqtari Maksimiliano Savarino.
“Gjyqtarja Julieta Makintach nuk ka vepruar në mënyrë të paanshme. Sjellja e saj ka dëmtuar si paditësit, ashtu edhe mbrojtjen”.
Makintach kishte hequr dorë nga procesi gjatë javës, pasi u publikua dokumentari i titulluar “Giustizia Divina” (Drejtësi Hyjnore), i cili trajtonte vetë procesin në zhvillim. Ajo kishte deklaruar se “ishte thjesht një intervistë, jo një dokumentar”, por gjatë hetimeve u gjet një skenar me titullin “La Giudice di Dio” (Gjyqtarja e Zotit), duke ngritur dyshime serioze mbi qëndrueshmërinë dhe paanshmërinë e saj në këtë çështje të ndjeshme.
Anulimi i procesit rikthen gjithçka në pikën zero dhe ngre pikëpyetje mbi rrugëtimin e drejtësisë në lidhje me vdekjen e ikonës së futbollit argjentinas, ndërsa opinioni publik mbetet i ndarë dhe i tronditur nga zhvillimet më të fundit.