Aplikimi për në shkolla të mesme, nxënësit, në kërkim të drejtimeve tërheqëse

Aplikimi për në shkolla të mesme, nxënësit, në kërkim të drejtimeve tërheqëse

Gazetare: Melihate Rustemi

Më 20 qershor, gjysmëmaturantët do të përcaktohen për një nga shkollat e mesme të vendit për të vijuar shkollimin e mesëm në drejtimet tre ose katërvjeçare. Në prag të regjistrimit, shkolla e mesme profesionale “Cvetan Dimov” kujton nxënësit se mund të regjistrohen edhe në drejtimin e-tregtia. Sipas drejtuesve të shkollës, ky drejtim u mundëson nxënësve të pavarësohen në tregun e punës dhe online të menaxhojnë biznese të ndryshme.

“Duke parë trendet bashkëkohore me zhvillimin teknologjik besojmë që ky drejtim I cili do të ofronte njohuri e pastaj edhe mundësi më të mira për tu kanalizuar në tregun e punës apo edhe në studimet e mëtejshme. Ky drejtim u zhvillua më së shumti gjatë kohës së pandemisë ku ju mundësua njerëzve që ta bëjnë shitjen dhe trajnimin online që të kenë më së lehti shitjen”, tha Sakip Axhami, drejtor i shkollës profesionale “Cvetan Dimov”.

“Këtu kemi online marketingun, marketing miks online, shitjen online ose shitjen elektronike si zhvillimin e ueb faqeve dhe shitjeve nëpërmjet internetit të cilat besojmë se janë tema me të cilat çdo ditë i hasim. Duke pas parasysh lidhshmërinë të cilën e kanë gjeneratat e reja me teknologjinë, telefonin, laptopin, internetin, me programet, rrjetet sociale e kështu me radhë besojmë që kjo është një drejtim i cili do ju vije atyre shumë natyrshëm”, u shpreh Besir Shabani, mësimdhënës.

Altin Ramadani, teknik i ushqimit në shkollën profesionale “Dimitar Vllahov”, tashmë është angazhuar në përgatitjen e ushqimeve të ndryshme në një furrë private. Ai apelon gjysmëmaturantët të zgjedhin drejtimet profesionale.

“Drejtimi Teknik i Ushqimit është shumë i rëndësishëm për semimaturantët. Të jep shumë benefite dhe punësim të menjëhershëm. Unë jam shumë i kënaqur edhe me shkollën edhe me punën që bëj. Është drejtim shumë fitim prurës”.

“Mund të punoj direkt në prodhim të ushqimit, të punoj në laboratorë të ndryshëm apo institute të ndryshme gjatë analizave të ushqimit, doganë, pse jo edhe nëpër institute tjera të ushqimit të cilat janë institute për shëndet publik dhe në vete bëjnë analiza të ndryshme për ushqimin”, deklaroi Xhejlane Aliu, mësimdhënëse.

Regjistrimi i nxënësve në shkollë të mesme do të bëhet në një afat regjistrimi me dy paraqitje. Paraqitja e pare më 20 dhe 21 qershor dhe paraqitja e dytë më 27 dhe 28 qershor 2023, përmes portalit të shërbimeve elektronike të Ministrisë së Arsimit e-uslugi.mon.gov.mk. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button