Arda Guler fantastik, 6 gola në 6 tentime drejt portës

Në Madrid të gjithë flasin për Vinisius Jr, Belingamin, apo yje të tjerë, lojtarë që udhëhoqën Realit drejt titullit në La Liga dhe finales së Ligës së Kampionëve. Ky ishte një sezon ku pritshmëritë nuk ishin kaq të larta, më shumë tifozët po mendonin për sezonin e ri, në pritje të Kilian Mbape-s.

Karlo Ançelotti kishte një ekip të limituar, i kushtëzuar shumë edhe nga dëmtimet e disa lojtarëve si Arda Guler. Fantazisti turk kaloi pjesën më të madhe në infermieri, por për sa kohë ka qenë në fushë, shifrat dhe rendimenti i tij janë fantastike.

Në La Liga, Arda është aktivizuar në 10 ndeshje, 373 minuta në total, por ka shënuar 6 gola, më saktë 1 gol çdo 62 minuta, shifra të denja për një “bomber” klasi. Jo vetëm kaq, saktësia e tij është e një tjetër niveli, 6 gjuajte në kuadrat 6 gola, 100% i saktë. I mahnitur nga paraqitjet e tij u shfaq edhe Ançeloti.

“Sa më pranë portës është, aq më i zoti është. Është shumë efikas, ka shënuar shumë gola me pak raste, është një talent special”, u shpreh Ançelotti pas sfidës kundër Viljarealit, ku Guler realizoi një “dopietë” golash.

Në lidhje me impaktin e tij te Reali këtë sezon dhe ndikimin e Ançelotit foli edhe vetë Arda Guler.

“Nuk i kisha imagjinuar kurrë numra të tillë. Unë mendoj vetëm të punoj në fushë, por gjithsesi jam shumë i lumtur që kam këto numra.

Ançeloti? Edhe kur nuk luaja fliste shumë me mua. Më thoshte në çdo moment që të kisha durim, të punoja, pasi do të vinte edhe momenti im”, u shpreh Arda Guler.

LEXO EDHE:

Back to top button