Armëpushimi 10-ditor mes Libanit dhe Izraelit ka hyrë në fuqi në mesnatë

Armëpushimi 10-ditor mes Libanit dhe Izraelit ka hyrë në fuqi në mesnatë, sipas kohës lokale, teksa gazetarët kanë raportuar për “të shtëna me armë zjarri” dhe lëshime raketash, që mund të kenë qenë të shtëna festuese teksa nisi armëpushimi. Media shtetërore e Libanit raportoi për vazhdim të sulmeve izraelite në jug të shtetit, por këto raportime nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur. Ushtria libaneze, pretendoi për disa “shkelje të armëpushimit” nga ana e Izraelit dhe u bëri thirrje qytetarëve të mos kthehen menjëherë në fshatrat jugore.

Për arritjen e armëpushimit njoftoi presidenti amerikan, Donald Trump, dhe më pas arritja e tij u konfirmua edhe nga udhëheqësit izraelitë dhe libanezë. Trump njoftoi për armëpushimin pasi bisedoi me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe presidentin libanez, Joseph Aoun. Presidenti amerikan tha se planifikon t’i takojë të dy udhëheqësit brenda një ose dy jave.

Në përditësimin e Departamentit Amerikan të shtetit për armëpushimin 10-ditor thuhet gjithashtu se: Izraeli do të ruajë të drejtën e tij për të marrë të gjitha masat e nevojshme për vetëmbrojtje, në çdo kohë, kundër sulmeve të planifikuara, të afërta ose të vazhdueshme. Kjo nuk do të pengohet nga ndërprerja e armiqësive. Përveç kësaj, ai nuk do të kryejë asnjë operacion ushtarak sulmues kundër objektivave libanezë, duke përfshirë objektiva civile, ushtarake dhe të tjera shtetërore, në territorin e Libanit nga toka, ajri dhe deti.

Pika më e rëndësishme është çarmatosja e Hezbollahut, grupimit militant që mbështetet nga Irani.  Përmes një video-deklarate, Netanyahu tha se ishte pajtuar për një armëpushim 10-ditor dhe se ekziston mundësia për të arritur një marrëveshje historike me Libanin pas dekadash konflikt.

“Ne kemi një mundësi për të arritur një marrëveshje historike paqeje me Libanin. Presidenti Donald Trump synon të më ftojë mua dhe presidentin e Libanit në mënyrë që të përpiqemi ta çojmë përpara këtë marrëveshje. Kjo mundësi ekziston sepse, që nga Lufta e Ringjalljes, ne kemi ndryshuar rrënjësisht ekuilibrin e pushtetit në Liban” – Benjamin Netanjahu, Kryeministër i Izraelit.

Presidenti amerikan tha se armëpushimi përfshin edhe Hezbollahun, grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesë të mëdha të jugut të Libanit. Hezbollahu konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian ka futur në listën e zezë vetëm krahun e tij të armatosur. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button