Armëpushimi mes Iranit dhe SHBA-së bëhet gjithnjë e më i paqëndrueshëm
Forcat amerikane thuhet se kanë nisur një tjetër sulm hakmarrës kundër Iranit. Disa objektiva, duke përfshirë vendet e mbrojtjes ajrore, depot e raketave dhe dronëve, si dhe infrastruktura e mbikëqyrjes u sulmuan, sipas komandës rajonale Centcom. Centcom deklaroi më tej se kjo ishte një “përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj sulmeve të vazhdueshme iraniane ndaj anijeve tregtare”.
Sakaq, Donald Trump akuzoi Iranin në platformën e tij TruthSocial për “shkelje përsëri të marrëveshjes së armëpushimit!” Në postimin e tij, presidenti amerikan vuri në dyshim aftësinë e Iranit për të mësuar nga gabimet e tij dhe lëshoi një kërcënim të ri.
“Avionët e Shteteve të Bashkuara sapo goditën vendet e magazinimit të raketave dhe dronëve iranianë, si dhe vendet e radarëve bregdetarë, për shkelje të Marrëveshjes së Armëpushimit, PËRSËRI! Është shumë e mundur që ata të mos e mësojnë kurrë! Mund të vijë një pikë kur ne nuk do të jemi më në gjendje të jemi të arsyeshëm dhe do të detyrohemi të përfundojmë ushtarakisht punën që e nisëm me shumë sukses. Nëse kjo ndodh, Republika Islamike e Iranit nuk do të ekzistojë më!”, tha Presidenti i SHBA-ve Donald Trump.
Irani nga ana tjetër ka lëshuar raketa dhe dronë kundër bazave ushtarake amerikane në Kuvajt dhe Bahrejn menjëherë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi se Uashingtoni mund ta përshkallëzojë fushatën ushtarake, nëse Teherani nuk e nderon armëpushimin.
Brenda pak orësh, autoritetet e Kuvajtit dhe Bahrejnit njoftuan se sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore po përballeshin me predha që po afroheshin. Forcat e Armatosura të Kuvajtit deklaruan se dy raketa balistike armiqësore u kapën në hapësirën ajrore të vendit, pa shkaktuar dëme apo viktima.
Irani mohoi përgjegjësinë për rrezikimin e lundrimit tregtar dhe akuzoi Uashingtonin për shkeljen e armëpushimit. Ministria e Jashtme paralajmëroi se vazhdimi i sulmeve amerikane mund ta dëmtojë procesin diplomatik që është duke u zhvilluar.
Ministri i Jashtëm i Iranit Abbas Araghchi tha se Ngushtica e Hormuzit mbetet nën kontrollin e plotë të Tehranit për 30 ditët e ardhshme dhe çdo sulm i SHBA-ve vetëm sa do ta përkeqësojë situatën e pasigurt në rajon.
“Sipas Memorandumit të Mirëkuptimit, Ngushtica e Hormuzit do të kthehet në kapacitetin e saj të paraluftës brenda 30 ditëve, pasi pengesat të jenë hequr nga Republika Islamike e Iranit. Këto marrëveshje aktualisht po miratohen dhe po zbatohen, dhe përgjegjësia për këto marrëveshje i takon Republikës Islamike të Iranit. Asnjë institucion apo vend tjetër nuk mban përgjegjësi në këtë drejtim sipas Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara”, theksoi Abas Araghchi, Ministër i Jashtëm i Iranit.
Marrëveshja e përkohshme, e nënshkruar më herët gjatë këtij muaji, synonte të ndalte luftimet që shpërthyen pas sulmeve amerikane dhe izraelite kundër Iranit më 28 shkurt, si dhe të rihapte Ngushticën e Hormuzit (AP CODE: 4668750) për trafikun tregtar, ndërsa negociatat më të gjera të vazhdonin. Një rund bisedimesh të ndërmjetësuara u zhvillua javën e kaluar në Zvicër dhe më pas Uashingtoni pezulloi përkohësisht disa nga sanksionet ndaj Teheranit. Megjithatë, pavarësisht marrëveshjes, dhuna ka vazhduar./Alsat.








