Armëpushimi, përparim i bisedimeve mes Izraelit e Hamasit
Armëpushimi, përparim i bisedimeve mes Izraelit e Hamasit

Marrëveshja e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit mesa duket ka qasje pozitive nga palët. Ndërmjetësuesit nga Katari kanë dërguar projekt-propozimin për një marrëveshje për ndalimin e luftimeve në Rripin e Gazës dhe shkëmbimin e pengjeve izraelite me të burgosurit palestinezë, si hap i parë drejt përfundimit të luftës gjatë 15 muajve. Faza e parë e armëpushimit do të zgjasë 60 ditë, ku priten të lirohen 33 pengje izraelite. Nëse vazhdon siç është planifikuar, në ditën e 16-të nga hyrja në fuqi e marrëveshjes, do të fillojnë negociatat për një fazë të dytë gjatë së cilës do të lirohen pengjet e mbetura gjallë dhe trupat e pengjeve të vdekur do të kthehen. Më pas, Izraeli do të lirojë nga burgjet e tij më shumë se 1000 të burgosur dhe të ndaluar palestinezë, por jo luftëtarët e Hamasit që morën pjesë në sulmin fillestar ndaj Izraelit. Në marrëveshje është parashikuar edhe tërheqja e forcave izraelite dhe rritja e konsiderueshme e ndihmave humanitare. Megjithatë, udhëheqësia e Gazës në të ardhmen është një nga pikat e panjohura të negociatave. Izraeli ka thënë se nuk do ta mbyllë luftën duke e lënë Hamasin në pushtet. /Alsat.mk