Arratisja e Blerim Ramadanit/ Këshilli shqyrton përgjegjësinë e Pajazitit
Arratisja e Blerim Ramadanit/ Këshilli shqyrton përgjegjësinë e Pajazitit

Gazetar: Suad Bajrami
Komisioni treanëtarësh i Këshillit Gjyqësor, ende nuk ka dalë me raport për gjendjen e konstatuar në Gjykatën Penale të Shkupit në lidhje me përgjegjësinë eventuale të gjykatësit Pajazit Pajaziti, për rastin e arratisjes së Blerim Ramadanit. Nga Këshilli, për Alsat shkurt theksojnë se po punojnë intensivisht për të konstatuar gjendjen dhe së shpejti do të dalin me raport.
Në ndërkohë, vazhdojnë përplasjet mes partive. VMRO-DPMNE, edhe sot ka përsëritur kërkesën për shkarkimin e gjyqtarit Pajazit Pajaziti, i cili, Ramadanit ia ka zëvendësuar masën e paraburgimit efektiv me atë shtëpiak.
“Të shkarkohet Pajazit Pajaziti menjëherë, jo vetëm që mundësoi të arratiset Ramadani, por edhe me kusht e gjykoi Ixhet Memetin i cili pranoi se ka marrë ryshfet. Pajaziti me vetëdije ka lënë hapësirë që Ramadani të arratiset”, tha Toni Jarevski, VMRO-DPMNE.
LSDM-ja opozitare kërkon përgjegjësi nga ministri i brendshëm, ndërsa akuzon VMRO-në për ikje nga përgjegjësia
“VMRO-DPMNE, në vend të përpjekjes që t’i ikë përgjegjësisë, në afat sa më të shkurtër ta shkarkojë ministrin Toshkovski nga ministri i Punëve të Brendshëm pasi që përgjegjësia për arratisjen është e tij. Në afat sa më të shkurtër kërkojmë MPB të dalë me raport për atë se si ka lejuar që të Ramadani të arratiset për afat aq të shkurtër, pa u siguruar në mënyrë përkatëse”, thonë nga LSDM.
Nga koalicioni VLEN, nuk kanë qëndrim në lidhje me kërkesën e VMRO-DPMNE-së për shkarkimin e Pajazitit.
Ish-ushtari i UÇK-së Blerim Ramadani ishte arrestuar më 17 korrik në pikën kufitare në Jazhincë, me një fletëarrest të lëshuar nga Serbia. Ai për dy javë qëndroi në paraburgim në Shutkë ndërsa më pas masa e paraburgimit iu zëvendësua me atë shtëpiak, ndërkaq për këtë Prokuroria ka dorëzuar ankesë. Ndaj ankesës së Prokurorisë, ka vepruar Këshilli Penal prej tre gjyqtarëve, të cilët më 14 gusht e kanë rrëzuar vendimin e Pajazitit dhe e kanë rikthyer vendimin për rikthimin e Ramadanit në paraburgim efektiv. Megjithatë, në po të njëjtën datë, Ramadani është arratisur./Alsat.mk