Arratisja e Grubit, Paparaniku ka dhënë për herë të dytë deklaratë në polici

Arratisja e Grubit, Paparaniku ka dhënë për herë të dytë deklaratë në polici

Gazetar: Mihajllo Donev 
Avokati nga Shkupi, Antonio Apostollski, do të jetë përfaqësues ligjor i ish-drejtorit të Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, në rastin e keqpërdorimeve në këtë Institucion, ku Bajrami është i dyshuari kryesor. Bajrami ende mbetet i pakapshëm për organet e vendit. Gjykata i caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditë. Në bisedë telefonike për Alsat, Apostollski thotë se Bajrami nuk është në arrati, por ka disa muaj që është zhvendosur dhe nuk jeton në Maqedoni.
“Sot kam marrë autorizim për të përfaqësuar Bajramin dhe jam angazhuar nga një anëtar i familjes së tij. Bajrami nuk është në arrati, por që prej disa muajsh është shpërngulur jashtë Maqedonisë. Fillimisht do të kërkojmë qasje në rast, për të parë se për çfarë akuzohet konkretisht, pastaj do të vazhdojmë më tej”, deklaroi Antonio Apostollski, avokat i Përparim Bajramit.
Përveç Bajramit, jashtë vendit ndodhet edhe ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, i cili është i dyshuari i dytë për të njëjtin rast. Përfaqësues ligjor i Grubit do të jetë avokati Vlladimir Donevski, por ai nuk iu përgjigj thirrjeve tona. Lidhur me arratisjen e Grubit në Kosovë, në vend po zhvillohet hetim aktiv dhe sot për herë të dytë është thirrur në pyetje në stacionin policor të Karposhit Konsulli i nderit i Kosovës në Maqedoni, Arsim Papraniku, i cili dyshohet se ka transportuar Grubin me automjetin e tij me targa diplomatike për në Kosovë menjëherë para fillimit të aksionit policor. Saktësisht se si Grubi ka kaluar kufirin, Ministria e Punëve të Brendshme po bën hetim të brendshëm.
“Shpresojmë që gabimi apo mosveprimi nuk ka qenë i qëllimshëm nga ana e policisë kufitare, ne kryejmë edhe kontroll të brendshëm në terren, e cila është përgjegjëse për këtë, dhe normalisht nëse ka të dhëna të tilla që do të tregojnë se ka pasur tendencë për lirimin e tij, atëherë normalisht do të marrim masa si Ministria e Punëve të Brendshme”, tha Astrit Iseni, zëvendësministër i Punëve të Brendshme.
Policia tashmë ka lëshuar fletarrest ndërkombëtar për Grubin dhe Bajramin, ndërsa në rastin e keqpërdorimeve në “Lotarinë Shtetërore” ku është bërë dëm prej mbi 8 milionë eurove janë përfshirë edhe ish kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ish sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Metodia Dimovski.  Paraburgim prej 30 ditë përveç Bajramit është caktuar edhe për Artan Grubin. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button