Protestat në Turqi / Arrestohen 340 persona, përfshi dhe nëntë gazetarë
Protestat në Turqi / Arrestohen 340 persona, përfshi dhe nëntë gazetarë

Gazetare: Xhesika Sallahi
Dhjetëra mijëra njerëz protestuan në Stamboll dhe në rreth 55 provinca nëpër Turqi, pasi rivali kryesor politik i presidentit të vendit, Rexhep Taip Erdoan, Ekrem Imamolu u arrestua formalisht dhe u akuza për korrupsion.
Polica ka përdorur gaz lotsjellës, plumba gome dhe topa uji kundër protestuesve, të cilët po valëvitnin flamuj turq dhe po mbanin në duar pankarta pro-opozitës. Thuhet gjithashtu se ka pasur përleshje mes policëve dhe protestuesve. Autoritetet turke kanë arrestuar rreth 340 persona, përfshirë nëntë gazetarë, të cilët po mbulonin protestat e natës së mbrëmshme.
Imamolu dhe dhjetëra të tjerë, përfshirë politikanë, gazetarë dhe sipërmarrës u ndaluan më 19 mars si pjesë e një hetimi kundër korrupsionit. Imamolu ka mohuar akuzat kundër tij, duke i përshkruar ato si “akuza dhe shpifje të paimagjinueshme”. Imamolu, kryetar i Stambollit, pritej të zgjidhej gjatë një votimi më 23 mars si kandidat i Partisë Republikane Popullore për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Turqi, të planifikuara për vitin 2028. Arrestimi i Imamolut shihet si akt i motivuar politikisht, megjithatë, qeveria këmbëngul se gjykatat e vendit janë institucione të pavarura. /Alsat.mk