Arrestohen pesë zyrtarë policorë nën dyshimin për vrasje nga pakujdesia të 27-vjeçarit në Lipjan

Arrestohen pesë zyrtarë policorë nën dyshimin për vrasje nga pakujdesia të 27-vjeçarit në Lipjan

Pesë zyrtarë policorë janë arrestuar nën dyshimin lidhur incidentin që ka ndodhur pas mesnatës në Lipjan, ku vdiq një i ri pasi u arrestua. Ata dyshohen për “Vrasje nga pakujdesia”.

Ndalimi i pesë zyrtarëve policorë vjen pasi Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) njoftoi se ka rekomanduar suspendimin e tyre lidhur me reagimin në incidentin që ka ndodhur pas mesnatës në Lipjan.

Këtë e konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” kryeprokrori i Prokurorirsë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi. Kurse, zëdhënësja e kësj Prokurorie, Kaltrina Shala tha se të dyshuarit janë arrestuar për “Vrasje nga pakujdesia”.

“E konfirmoj se janë arrestuar pesë zyrtarë policor për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia” nga neni 175 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Për momentin nuk mund të ofrojmë më shumë detaje sepse mund të dëmtojmë integritetin e hetimeve”, tha ajo.

Ndryshe, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) i ka rekomanduar të hënën Policisë së Kosovës masën e suspendimit të përkohshëm për pesë zyrtarët policorë të përfshirë në një ndërhyrje në Lipjan në orët e hershme të mëngjesit, ku një burrë i ri ka vdekur pasi është arrestuar.

Policia e Kosovës ka thënë se personi i vdekur dyshohej se ishte nën ndikimin e alkoolit dhe po sulmonte automjete dhe kalimtarë në Lipjan.

Sipas zyrtarëve policorë, në vendngjarje është thirrur edhe ekipi mjekësor emergjent i cili ka ofruar ndihmën e parë, por që përkundur përpjekjeve është konstatuar se ai ka ndërruar jetë.

Në komunikatën për media të lëshuar nga Inspektorati Policor i Kosovës është thënë se ky institucion ka nisur të mbledhë prova materiale dhe incizime të kamerave të sigurisë dhe nga telefonat mobilë, dhe që rastin do ta trajtojë si “hetim mbi vdekjen”.

“Suspendimi i tyre është masë administrative e përkohshme dhe në këtë fazë nuk paragjykon përgjegjësinë e tyre ligjore apo profesionale”, është thënë mes tjerash në komunikatë.

LEXO EDHE:

Back to top button