Arrestohet “Fallxhori”, fitoi 400 mijë euro

Arrestohet "Fallxhori", fitoi 400 mijë euro

Gazetar: Avni Tahiri

Një rast i rëndë mashtrimi është zbuluar nga policia e Shtipit dhe Berovës. Një 54-vjeçar nga fshati Trubarevë i Shkupit ka përfituar në mënyrë të paligjshme rreth 400 mijë euro nga një çift i moshuar nga Berova, duke u paraqitur si “njeri i Zotit” me aftësi për të larguar magji dhe shpëtuar jetën e djalit të tyre. Sipas denoncimit të 76 vjeçarit me inicialet B.D, nga Berova, mashtrimi ka ndodhur në periudhën nga viti 2022 deri në vitin 2025. I dyshuari, D.I. 54 vjeçar e ka bindur çiftin se djali i tyre është viktimë e një magjie që rrezikonte jetën dhe shëndetin e tij.

“Personat e dëmtuar në disa raste dhe në lokacione të ndryshme në Shkup dhe Berovë kanë dhënë para në vlerë prej 5.000 deri në 6.000 euro për ndihmën, me ç’rast ka përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme në vlerë prej 400 mijë eurosh në periudhë trevjeçare”, thonë nga MPB.

Pas kallëzimit, në bashkëpunim me Departamentin për Kriminalistikë dhe me urdhër të Prokurorisë Publike në Koçan, policia ka ndërmarrë masa të menjëhershme dhe i dyshuari është arrestuar së bashku me nënën e tij 76 vjeçare nga Trubareva. Gjatë kontrollit në banesën e tyre u sekuestruan 3.000 euro para të gatshme si dhe sende që lidhen me veprën penale të mashtrimit. Të dy të arrestuarve u është ngritur kallëzim penal për “mashtrim”, dhe janë dërguar para gjykatësit për procedurë paraprake në Gjykatën Themelore të Koçanit. Sipas MPB-së, hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e këtij rasti./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button