Arrestohet në Kakavijë një shqiptar dhe 5 shtetas të huaj, ja për çka akuzohen

Një 25-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e Policisë së Kakavijës, pasi gjatë kontrollit në dalje të Shqipërisë iu gjetën në automjetin e tij 20 kg lëndë narkotike kanabis sativa. Po kështu shërbimet e Policisë kufitare kanë proceduar penalisht edhe 5 shtetas të huaj, 3 gjermanë dhe dy francezë.
Nga kontrolli i ushtruar nga shërbimet e policisë kufitare, në bagazhin e automjetit, në vendin e gomës rezervë 3 shtetasve gjermanë iu gjetën 30 doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis sativa, kurse francezëve 33 doza.
Njoftimi i Policisë
Shërbimet e Policisë Kufitare Kakavije, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në informacionet në rrugë operative dhe në analizën e riskut, në dalje të RSH-së, pas verifikimit të të dhënave në sistemin TIMS, kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë automjetin tip “volvo” që drejtohej shtetasi F. G., 25 vjeç, banues në Gjirokastër.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, nga shërbimet e Policisë Kufitare, në sediljet e pasme të mjetit, në një vend të përshtatur janë gjetur 17 pako të mbështjella, brenda të cilave kishte lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sattiva, me peshë totale 20 kg.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, automjeti dhe 1 aparat celular.