Arsenali nuk lëshon pe, Granit Xhaka qëndron në Londër?!

Ndonëse mesfushori 30-vjeçar zviceran (me origjinë shqiptare) Granit Xhaka ka gjetur marrëveshjen për t’u transferuar këtë verë nga Arsenali te Bajer Leverkuzeni, ende mungon zyrtarizmi. Kjo për faktin se dy klubet ende nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët mes tyre, duke mbajtur pezull gjithçka.

Kështu, mes Arsenallit dhe Bajer Leverkuzenit ka nisur një betejë e fortë në lidhje me koston e këtij transferimi. Skuadra londineze kërkon 25 milionë euro për të lënë të lirë Xhaka-n, ndërsa gjermanët nuk rritin aspak ofertën e tyre, duke mbetur te shuma prej 15 milionë eurosh, ofruar që në fillim.

Xhaka ka ende edhe një vit kontratë me Arsenal dhe në rast se “topçinjtë” nuk ulin disi pretendimet e tyre rrezikojnë ta humbasin mesfushorin me koston zero, verën e ardhshme.

Disi e papritur kjo këmbëngulje, kur lojtari, pas 7 sezonesh me Arsenalin, ka gjetur marrëveshjen me gjermanët, duke pranuar rikthimin në Bundesliga.

Për të zgjidhur ngërçin po ndërhyn menaxheri i lojtarit, që ka nisur të bisedojë me të dyja klubet për të gjetur një të mesme të artë dhe të zhbllokojë transferimin. Në të kundërt, Xhaka do të qëndrojë edhe një vit në Londër. Trajneri Arteta më herët ka thënë se do të ishte i kënaqur nëse mesfushori me përvojë do të qëndrojë.

LEXO EDHE:

Back to top button