Arsova: Jo të gjithë familjarët e viktimave të tragjedisë së Koçanit kanë nevojë për terapi nga psikiatri ose psikologu
Arsova: Jo të gjithë familjarët e viktimave të tragjedisë së Koçanit kanë nevojë për terapi nga psikiatri ose psikologu

Jo të gjithë familjarët dhe miqtë e viktimave të tragjedisë së Koçanit kanë nevojë për terapi nga psikiatri ose psikologu, thotë drejtorja e Klinikës së Psikiatrisë Sllavica Arsova. Sipas saj, mjafton që personat e prekur nga tragjedia të dinë se kanë mekanizma për të kërkuar ndihmë. Ajo, në intervistë për Alsat, thotë se shteti ka mjaftueshëm kuadro të përgatitur për t’u përballur me traumën kolektive të momentit. Kërkon angazhimin edhe të psikologëve të shkollave, edhe të mjekëve amë.
“Nuk është e nevojshme të imponohet ndihmë psikiatrike dhe psikologjike, intervenime ose mbështetje. Mjafton të thuhet se ekzistojnë njerëz që mund ta bëjnë këtë, mjafton që njerëzit të inkurajohen që të kërkojnë ndihmë nëse kanë nevojë. Këtë e them se bëhet fjalë për një proces mbajtje zie që zgjat gjatë, me ditë, me muaj, ndonjëherë edhe me vite. Është e rëndësishme që t’u mundësohet atyre njerëzve të mbajnë zi. Sigurisht, ne nuk i lëmë vetë, është e rëndësishme kur ndodh një tragjedi e tillë të dihet se ekzistojnë njerëz që mund të ndihmojnë, psikiatrit dhe psikologët klinik. Jo me çdo çmim të gjithë duhet të shkojnë në psikiatër ose psikolog klinik. Është e nevojshme mobilizim ose aktivizim i shërbimeve psikologjike-pedagogjike që janë brenda shkollave, t’i përforcojmë aspektet e shëndetshme të njerëzve. Kur bëhet fjalë për të rinjtë, mjafton që kujdestari i klasës, psikologu ose pedagogu, mjafton tu mundësojnë fëmijëve të flasin për ndjenjat e tyre pa u imponuar ndonjë terapi. Të njëjtën gjë mund ta bëjnë edhe mjekët e familjes dhe të bëjnë vlerësime të shkurtra, tashmë janë dërguar pyetësor të shkurtër me protokoll, për ekzistencën e rrezikut eventual. Nëse vlerësohet se tek dikush ekziston rrezik më i lartë, atëherë udhëzohet në psikiatër ose psikolog”, deklaroi Sllavica Arsova, drejtore e Klinikës së Psikiatrisë. /Alsat.mk