ASH-AA: Qeveria LSDM-BDI, pa legjitimitet


Kryetarët e koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, e quajtën të dëmshëm për shqiptarët marrëveshjen LSDM-BDI për bashkëqeverisje. Ziadin Sela dhe Afrim Gashi thanë se demokracia u varros një ditë më parë me faktin se u arrit një marrëveshje për një qeveri përmes shkeljes së çdo fjale, ndaj votuesve shqiptarë. Sipas tyre koalicioni qeverisës të cilin e quajtën si të krimit do ta ketë afatin e shkurtër dhe 100 ditëshi i fundit nuk do ta arrihet për të ulur një shqiptar në fronin e kryeministrit.

 “E ç’ rëndësi ka a 100 ditë a 1 ditë, kur bëhet fjalë për një premtim të cilin e ke dhënë përpara qytetarëve për një mandat të tërë. Pse duhet të merremi me këtë 100 ditëshin!? Është shumë absurde sepse në momentin që flasim ka dy propozime: njëri është që qeveria sipas modelit të Përzhinës mos të ekzistoj, me fjalë të tjera nuk do të ketë kryeministër teknik për 100 ditë; dhe tjetri na qenka kryeministri teknik. Rrenë, mashtrim! E cila është cilësi e hajnave si oponentët tanë politik- deklaroi Ziadin Sela, Kryetar i ASH-së.

 Kreu i Alternativës, Afrim Gashi tha se vota shqiptare u keqpërdor për interesa të ngushta partiake dhe se shqiptarët më 15 korrik u shantazhuan, u kërcënuan dhe u vodhën votat.

“Njëra është e de legjitimuar totalisht për shkak se ka hequr dorë nga premtimi i saj kryesor, kryeministri shqiptar. Andaj ne si përfaqësues të 82 mijë votave shqiptare dhe gjithë të tjerëve që nuk e duan mashtrimin dhe e duan demokracinë te shqiptarët, jemi këtu për t’ju thënë atyre se ne do të vazhdojmë t’i mbrojmë interesat e tyre, duke bërë betejë të fuqishme, nuk do të ndalemi asnjë ditë në këtë Kuvend, duke i përdorur të gjitha mjetet demokratike- pohoi Afrim Gashi, Kryetar i AAA-së.

 Sela dhe Gashi paralajmëruan se si opozitë do të jenë zëri i fuqishëm i shqiptarëve brenda Kuvendit. Ata paralajmëruan se së bashku me qytetarët shqiptarë do t’i bëjnë rezistencë me forma demokratike këtij  pushteti, deri në momentin që do të legjitimohet vullneti i votuesve shqiptarë. Sela tha se ata nuk do ta votojnë për së dyti as Talat Xhaferin për kryetar të Kuvendit.

Përgatiti: Adnan Qaili

LEXO EDHE:

Back to top button