ASH-AAA: Shqiptarët nuk janë as përqindje e as pjesë, por janë shumicë shtetformuese

“Ajo që la shije të keqe në gjithë këtë proces ishte qëndrimi i Bashkimit Demokratik për Integrim, që përkundër interesave shtetërore që të mos ndërpritet regjistrimi dhe përkundër interesave shqiptare që regjistrimi të vazhdojë sipas dinamikës së filluar, kjo parti u bashkua me vendimin e takimit Zaev-Mickovski, në të cilin as nuk ishte ftuar të marrë pjesë, për të dalë kështu kundër interesave euro-integruese të vendit, si edhe kundër interesave shqiptare për t’u regjistruar”, thuhet në reagimin e koalicionit ASH-AAA për të shtuar se shqiptarët nuk do ta harrojnë se kush në çfarë pozite ishte në këtë çast strategjik e historik.

“Mënyra se si u shty regjistrimi flet për indikacionin se eksponentë të caktuar të politikës nacionaliste maqedonase do të bëjnë çmos që, përmes Gjykatës Kushtetuese, ta anulojnë regjistrimin e mërgatës, në mënyrë që ta shpëtojnë përqindjen e maqedonasve dhe ta ulin përqindjen e shqiptarëve. Pasi që i kanë përzënë 300 mijë shqiptarë nga ky vend, tash duan edhe t’i fshijnë tërësisht nga e drejta e tyre për të qenë pjesë e këtij shteti”, thuhet në reagimin e ASH-AAA.

“Duke u kujdesur që mos të prodhohen ndarje mbi baza etnike në shtetin tonë, si dhe duke u qëndruar besnik interesave të votuesve tanë, ne do të kujdesemi që ky interes strategjik i shtetit dhe i shqiptarëve të mos nëpërkëmbet dhe regjistrimi i popullsisë të vijojë deri në regjistrimin e secilit në listën e qytetarëve rezidentë të këtij shteti. Ne nuk mund të lejojmë që dikush të tallet akoma me përqindjen e shqiptarëve, sepse shqiptarët nuk janë as përqindje e as pjesë, por janë shumicë shtetformuese dhe janë tërësi e pandashme”, thuhet në reagimin e koalicionit ASH-AAA.

LEXO EDHE:

Back to top button