ASH-ja e Taravarit, se ka ndër mend të dalë nga Qeveria – Fetai: Vazhdojmë me punë sikur nuk ka ndodhur asgjë
ASH-ja e Taravarit, se ka ndër mend të dalë nga Qeveria – Fetai: Vazhdojmë me punë sikur nuk ka ndodhur asgjë

Gazetar: Zekirija Haxhiu
Përkundër kërkesës së partnerëve të koalicionit qeverisës, Aleanca për Shqiptarët me në krye Arben Taravarin për momentin nuk e kanë ndërmend ta braktisë Qeverinë. Zv.kryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai, thotë se puna dhe koordinimi mes partnerëve të pushtetit është i shkëlqyeshëm, ndërsa shpreson që mos të ketë vendim të njëanshëm për largimin e tyre.
“Aleanca për Shqiptarët është në Qeveri. Nuk ka asnjë plan për lëshim të pozicioneve tona në Qeveri. Ne vazhdojmë me punë në baza ditore sikur nuk ka ndryshuar asgjë. Po tani unë thash, do të ketë konsultime, besoj se nuk ka hapësirë për lëvizje të njëanshme nga cila do palë qoftë dhe se duhet të mendohet në drejtim të stabilitetit të kësaj qeverie. ASH me pesë deputetët e saj është kyçe për ruajtjen e stabilitetit të kësaj përbërjeje”, deklaroi Arben Fetai – Zv.kryeministër.
Por zv.kryeministri Izet Mexhiti është kategorik, thotë se edhe me BDI-në edhe në Qeveri nuk mundet.
“Mendoj për këtë do të kërkoni mendim nga z.Mickoski. Unë flas në emër të VLEN-it, VLEN-i është i qartë. Edhe me VLEN-in edhe me BDI-në nuk mundet. Edhe me BDI-në edhe në Qeveri mendoj që nuk shkon”, tha Izet Mexhiti – Zv.kryeministër i parë.
Turbulencat politike dhe paralajmërimet e largimit të ASH-së nga VLEN dhe nga Qeveria, filluan kur ASH në mbledhjen e fundit të kryesisë vendosi që në zgjedhjet lokale të dalë me lista të veçanta për këshilltarë komunal dhe jo me kandidatë të përbashkët me partnerët e VLEN-it. Pas kësaj, nga VLEN theksuan se ky veprim i ASH-së do të thotë vetëpërjashtim nga koalicioni ndërsa edhe VLEN edhe ZNAM kërkojnë largimin e Taravarit nga Qeveria. /Alsat.mk