ASH: Spasovski të sqarojë vendimin e tij
Aleanca për Shqiptarët kërkon nga ministri i Brendshëm Oliver Spasovski të sqarojë se pse ka pritur që pikërisht tre ditë pas tragjedisë nga djegia e autobusit në Bullgari të mbyllë kompaninë “Via Komerc Xhemal” e cila ka kryer kontrollin teknik të tij dhe tek e cila ishin konstatuar parregullsi që në muajin gusht. Sipas kësaj partie, këto skandale flasin për përgjegjësin e institucioneve në tragjedinë e ndodhur.
“Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski, duhet të tregojë se përse e ka lejuar këtë stacion të punojë edhe tre muaj e gjysmë pasi janë konstatuar parregullsitë dhe deri kur ka menduar që ta lejojë të punojë. A do ta kishte mbyllur nëse nuk do të ndodhte tragjedia? Sa autobusë kanë kaluar në ndërkohë përmes këtij stacioni gjatë kësaj periudhe? Ky skandal më mirë e dëshmon përgjegjësinë e institucioneve dhe qeverisë në përgjithësi në tragjedinë e fundit që mori jetën e dhjetëra qytetarëve të pafajshëm.”- deklaroi Zylfi Adili, Aleanca për Shqiptarët.








