Ashpërsohen përplasjet mes “Grupit të Zjarrit” dhe Ahmetistëve

Ashpërsohen përplasjet mes "Grupit të Zjarrit" dhe Ahmetistëve

Gazetar: Mefail Ismaili

Përçarja në BDI mes “Grupit të Zjarrit” dhe grupit të “Ahmetistëve” për çdo ditë po bëhet më e ashpër. Nënkryetari i BDI-së Izet Mexhiti i ka bërë thirrje kryetarit të partisë Ali Ahmeti që mos të marrë vendime të përshpejtuara por ta kthejë debatin në organet e partisë.
“Thërras për reflektim, për thirrje të ndërgjegjes dhe kthimit të debatit në organet partiake, me argumente konkrete për të dalë nga kjo situatë e krijuar”, tha Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së.

Lidhur me emërimin e Bujar Osmanit si koordinator politik në degën e BDI-së në Çair nga ana e Ali Ahmetit, Mexhiti tha se ky veprim është jodemokratik dhe në kundërshtim me statutin e BDI-së.

“Këto janë akte jodemokratike, jostatutare, akte të cilat edhe në takuarën nuk kanë sjellë dobi edhe për shqiptarët edhe për BDI-në, sepse me vendime të këtilla ad-hok, të ngutshme, jo mirë të menduara kemi pasur pasoja të rënda në degët tjera të BDI-së”, u shpreh Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së.

Pas njoftimeve se kreu i BDI-së, Ali Ahmeti e ka emëruar Bujar Osmanin si koordinator politik për degën e Çairit, zv/kryeministri Artan Grubi e ka uruar Osmanin në rrjetet sociale, duke postuar foto me të dhe duke thënë se do ta mbështesë në detyrën e tij.

“Krahas asaj të Kryetarit, Bujari ka edhe mbështetjen time në këto përpjekje për ta riaktivizuar strukturën në Çair pas tre viteve mungese të aktiviteteve partiake në degën tonë dhe në këshillat vendore në kuadër të degës”, tha Artan Grubi, BDI.

Bujar Osmani ishte i pa kapshëm për të komentuar emërimin e tij, si dhe zhvillimet e fundit në BDI./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button