ASK: Mbi 207 mijë banesa të blera, të pabanuara në Kosovë
ASK: Mbi 207 mijë banesa të blera, të pabanuara në Kosovë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar sot raportin me të dhëna të detajuara për banesat dhe ndërtesat sipas komunave, në kuadër të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2024.
Ky publikim ofron një pasqyrë gjithëpërfshirëse mbi strukturën e banesave në nivel kombëtar dhe komunal, duke përfshirë tregues të rëndësishëm që ndihmojnë në analizimin e zhvillimeve në sektorin e banimit dhe planifikimin urban.
Sipas të dhënave të publikuara, në Kosovë janë regjistruar gjithsej 581,095 banesa, nga të cilat 356,959 janë të banuara nga një ose më shumë banorë.
Ndërkohë, 207,165 banesa, që përbëjnë 35.7% të totalit, rezultojnë të pabanuara — përfshirë ato të destinuara për shitje, dhënie me qira apo përdorime të tjera.
Raporti përfshin informacione të detajuara për:
Numrin e përgjithshëm të banesave sipas komunave
Shpërndarjen e banesave në vendbanime urbane dhe rurale
Klasifikimin e banesave në të banuara dhe të pabanuara
Llojin e furnizimit me ujë
Llojin e sistemit të shkarkimit të ujërave të zeza
Mënyrat e ngrohjes në banesa
Numrin e dhomave në banesat e zakonshme
ASK thotë se këto të dhëna janë një burim i rëndësishëm për politikat zhvillimore, si dhe për hartimin e strategjive për përmirësimin e kushteve të banimit dhe menaxhimin e qëndrueshëm të hapësirës.
Analiza e shpërndarjes së banesave të banuara dhe të pabanuara shërben gjithashtu për të kuptuar trendët e zhvillimit urban dhe rural, duke ndihmuar komunat në planifikimin e nevojave të ardhshme për infrastrukturë dhe shërbime publike.