Asnjë lëvizje në drejtim të rikonstruimit të Sallës Universale në Shkup

Asnjë lëvizje në drejtim të rikonstruimit të Sallës Universale në Shkup

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Nuk ka asnjë informacion se kur do të vazhdojë rikonstruimi apo edhe ndërtimi nga fillimi i sallës Universale në Shkup, e cila u shkrumbua në prill të vitit të kaluar. Ndonëse të njëjtës i’u bë ekspertizë nga një institut privat, Ministria e Kulturës ka paralajmëruar inspektime të reja. Kryetari i komunës Qendër, Goran Gerasimovski fajin për pengesa e hedh tek Qyteti i Shkupit.

“Kemi patur disa mbledhje me ministrin e ri për kulturë, edhe me ministren e mëparshme sa i përket sallës universale. Qëllimi im është sa më shpejtë të përfundojë e njëjta. Këtu pak pengesa po bënë Qyteti i Shkupit në vazhdimin e rikonstruimit, shpresoj se do t’i tejkalojnë të gjitha pengesat me Ministrinë e Kulturës, ne si komunë jemi në dispozicion të dy institucioneve të ndihmojmë që sa më shpejtë të përfundojë projekti, gjë që është me rëndësi të madhe edhe për komunën edhe për qytetin”, deklaroi Goran Gerasimovski – Kryetar i komunës Qendër.

Alsat pyeti edhe Ministrinë e Kulturës për vazhdimin e punimeve por deri në këto momente asnjë përgjigje. Kompetente për këtë sallë ka qenë Qyteti i Shkupit por në fund të mandatit të saj, ish ministrja e kulturës Bisera Kostadinova Stojçevska, kompetencat i’a barti ministrisë. Me ardhjen e VMRO-së në pushtet, ministri Zoran Lutkov tha se salla universale ishte marrë në mënyrë joligjore nga qyteti i Shkupit, dhe se me rikonstruimin do të vazhdohet pasi të tejkalohen të gjitha pengesat.

Salla Universale u dogj më 9 prill të vitit të kaluar, vetëm një muaj pasi vazhduan aktivitetet ndërtimore për rikonstruimin e saj. Filloi të rinovohet në fund të mandatit të ish kryetarit të Shkupit, Petre Shilegov në vitin 2021. Me ardhjen e kryetares Danella Arsovska, punët u ndërprenë dhe për dy vjet asgjë nuk është punuar. Me vendim të Qeverisë, në vitin 2023 ministria e kulturës i’a morri kompetencat qytetit të Shkupit ndërsa në tetor të vitit të kaluar, ish ministrja Kostadinovska Stojçevska mori kallëzim penal për shkak se nuk ka shpallur tender të ri për ndërtim të sallës. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button