Asnjë zgjidhje për murin e shembur në afërsi të Klinikës për Sëmundje të Fëmijëve

Asnjë zgjidhje për murin e shembur në afërsi të Klinikës për Sëmundje të Fëmijëve

Gazetare: Linda Ebibi

“Me muaj të tërë muri që është shembur në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve është në këtë gjendje dhe deri më sot nuk është ndërmarrë asgjë për riparimin e tij. Dje në Qendrën për Menaxhim me Kriza është mbajtur takim, nga ku është vendosur që Ministria e Shëndetësisë të gjejë zgjidhje të përkohshme, ndërsa Qyteti i Shkupit zgjidhje afatgjate. Por, se kur do të nisin punimet mbetet ende e paqartë”, raporton gazetarja e Alsat, Linda Ebibi.

Institucionet në takimin e djeshëm i ndanë punët. Ministria e Shëndetësisë, në pajtim me vendimin dhe konkluzionin e inspektorit ndërtimor të Komunës Qendër duhet të gjejë zgjidhje të përkohshme, ndërsa Qyteti i Shkupit duhet të fillojë aktivitetit për zhvillimin e një projekti të ri të komunikacionit në koordinim me SPB Shkup, i cili do të zvogëlojë lëvizjen e automjeteve të rënda.

Për zgjidhje të përhershme dhe afatgjatë të problemit, është e nevojshme që Qyteti i Shkupit në koordinim me institucionet tjera kompetente të përgatis një studim të ri hidrologjik dhe një studim për mbrojtjen e ujërave nëntokësore, në bazë të së cilës do të merreshin masa të përhershme për ndërtimin e një rruge të re me rrjetin e nevojshëm të kanalizimit dhe asfaltimin e të njëjtës.

Pavarësisht dakordësisë, nga Qyteti i Shkupit thonë se ata nuk janë kompetent për ndërtimin e murit në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve.

“Në takimin koordinues të mbajtur në QMK  për këtë rast, të gjithë pjesëmarrësit konfirmuan se muri mbajtës, i cili është ndërtuar si rrethojë e Qendrës Klinike, është kompetencë e Ministrisë së Shëndetësisë, respektivisht ndërtimi dhe rikonstruksioni i tij, mund të bëhet vetëm sipas ligjeve dhe akteve nënligjore nga Ministria ose organi i saj i autorizuar për të njëjtën gjë”, thonë nga Qyteti i Shkupit.

As nga Ministria e Shëndetësisë nuk tregojnë se kur do të fillojnë punimet. Përveç murit që është shembur, edhe pjesa tjetër e murit rrezikon që të shembet, ku shpesh herë ka makina të parkuara.

Në afërsi të murit që është shembur, kishte edhe mbeturina të shumta, madje edhe mbetje medicinale, që nuk guxojnë të hidhen kudo nëpër tokë./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button