Atanasovski: Koalicioni i zgjeruar qeveritar duhet t’i bëjë presion VMRO DPMNE-së për ndryshimet kushtetuese

Atanasovski: Koalicioni i zgjeruar qeveritar duhet t'i bëjë presion VMRO DPMNE-së për ndryshimet kushtetuese

Gazetar: Lluka Andreev

Me hyrjen e Aleancës për Shqiptarët në Qeveri krijohet një front që mund të bëjë presion mbi opozitën për të mbështetur ndryshimet kushtetuese, vlerëson analisti politik Bllagojçe Atanasovski. Megjithatë, ai shton se ky presion nuk do të japë fryte nëse  udhëhiqet vetëm nga partitë e koalicionit qeverisës dhe nuk mbështetet nga partnerët ndërkombëtarë më me ndikim të vendit.

“Kjo është vetëm për sa për të krijuar një front kundër dy partive të mbetura parlamentare të përfaqësuara në Parlament, pra koalicionit rreth VMRO-DPMNE-së dhe dy deputetëve të partisë E Majta, për të treguar gishtin drejtë tyre se vetëm ata janë kundër miratimit të ndryshimeve kushtetuese dhe se ata janë frenuesit e integrimit evropian”, tha Bllagojçe Atanasovski – analist politik.

Atanasovski kujtoi se ndryshimet kushtetuese do t’i mbështesin edhe partitë opozitare shqiptare. Megjithatë, ai thotë se ky bashkëpunim LSDM-BDI-Aleancë mund të vazhdojë edhe në afat të gjatë.

“Në opinion po spekulohet se hyrja e Aleancës në fakt është krijimi i një fronti më të gjerë të bashkuar etnik maqedonas-shqiptar, i cili do të dilte në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, qofshin ato të parakohshme apo të rregullta, pasi zgjedhjet e rregullta vijnë vitin e ardhshëm, në një koalicion parazgjedhor etnik maqedonas-shqiptar me lista të përbashkëta”, shtoi ai.

Ndryshe, derisa po formohej shumica e re qeverisëse, procesi i ndryshimeve kushtetuese mbeti në plan të dytë. Kryeministri Dimitar Kovaçevski javën e kaluar tha se teksti i ndryshimeve  kushtetuese ende nuk ka filluar të shkruhet dhe për momentin nuk ka njoftim se kur do të fillojë procesi i gjerë i konsultimit. Analisti Atanasovski përsëriti se afatet rrjedhin dhe pret që deri në këtë verë të jetë më e qartë fotografia nëse janë të mundshme ndryshimet kushtetuese me këtë përbërje parlamentare./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button