Athinë-Ankara, bisedime në Stamboll për konfliktin në Egje

Pas një viti tensionesh mes Greqisë dhe Turqisë, aleatët e NATO-s fillojnë bisedimet informuese në Stamboll të hënën për divergjencat e vjetra në Detin Egje. Pas pesë vitesh heshtjeje fillon kështu raundi i 61-të i bisedimeve. Nga ky takim shpresohet një përmirësim i atmosferës mes dy vendeve, gjë që i intereson si Athinës edhe Ankarasë. Edhe BE, SHBA dhe NATO e kanë përshëndetur fillimin e bisedimeve, megjithëse bisedimet janë tërësisht jozyrtare dhe vetëm një lloj përgatitjeje për negociata të vërteta. Në të njëjtën kohë ato janë një mundësi si për Athinën edhe Ankaranë të mbeten në kontakt, edhe nëse nuk shënohet ndonjë progres në drejtim të një dialogu konstruktiv.

60 raundet e para nuk sollën zgjidhje, pra pritshmëritë ndaj raundit të 61-të janë të pakta. “Ne do të diskutojmë temat, për të cilat kemi biseduar edhe në bisedimet e mëparshme të informimit”, është shprehur ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavusoglu gjatë një konference shtypi bashkë me ministrin e Jashtëm gjerman, Heiko Maas.

Dhjetorin e kaluar krerët e shteteve dhe qeverive të BE, kishin rënë dakord që të vendosnin sanksione kundër Turqisë për shkak të kërkimeve për gaz para brigjeve greke dhe qipriote. Çavusoglu atëherë deklaroi, se Turqia nuk ka frikë nga sanksionet, por synon ruajtjen e „një atmosfere pozitive” me BE-në dhe nuk dëshiron tensione me vendet anëtare. Pas kësaj tema e sanksioneve u shty për në mars. Për shkak se kriza ekonomike në Turqi së fundmi është ashpërsuar, sanksionet mund të dëmtonin edhe më shumë ekonominë turke.

LEXO EDHE:

Back to top button