Atletja shqiptare, e para që merr tre të arta në një Kampionat Ballkanik

E arriti edhe një tjetër kulm që i mungonte. Jo se kishte nevojë për të, por një kampione si Luiza Gega nuk mund ta kuptojë ndryshe jetën dhe karrierën përveçse duke vendosur rekorde të reja. Kampionia e Europës u bë e para atlete që arrin të marrë tri medalje të arta në një Kampionat Ballkanik.
Askush më parë, nuk ia kishte dalë. Treshen e të artave, Gega e plotësoi këtë të diel me triumfin në garën e 5000 metrave, ku po përpiqet të përshtatet gjithnjë e më shumë, dhe ku ka ambicie të mëdha në të ardhmen. Veterania e padiskutueshme e atletikës shqiptare dhe asaj kontinentale, ia doli në turneun që po zhvillohet në Novi Pazar të Serbisë, duke dhënë kohën 16 minuta, 7sekonda e 93 të qindta, ndërsa rivalet i la shumë prapa.
Të shtunën, Gega fitoi dy herë. Ajo njëkohësisht u shpall kampione e Ballkanit në garën e saj të preferuar të 3 000 metrave me pengesa, dhe siguroi formalisht kualifikimin për në Lojrat Olimpike. Formalisht kualifikimi u arrit sepse periudha e vendosur nga Federata Botërore e Atletikës nisi në 1 korrik, dhe gara në Kampionatin Ballkanik ishte e para për Luizën që nga ajo kohë.
Hapin e dytë drejt realizimit të misionit Gega e realizoi me fitoren e garës së 3 000 metrave pasditen e së shtunës. Shqiptarja dha kohën 9 minuta 21 sekonda e 48 të qindta, ndërsa tani do të përqëndrohe tek objektivi më i madh i sezonit, Kampionati Botëror./abcnews/