Australia akuzon Kinën për ndriçim me laser në avionët e saj luftarakë

Ministria australiane e Mbrojtjes ka akuzuar një anije të marinës kineze se ka ndriçuar me laser “të shkallës ushtarake” drejt një prej avionëve të saj luftarakë.
Anija kineze po lundronte në detin Arafura pranë Australisë veriore kur incidenti ndodhi të enjten.
“Veprime të tilla kanë potencialin të rrezikojnë jetë. Ne dënojmë fuqishëm sjelljen joprofesionale dhe të pasigurt ushtarake”, ka thënë ministria.
Autoritetet kineze ende nuk kanë komentuar rastin.
Marrëdhëniet midis dy vendeve janë tensionuar vitet e fundit për një sërë mosmarrëveshjesh.
Mediat australiane kanë raportuar incidente të ngjashme me laser në të kaluarën, për të cilat zyrtarët e inteligjencës kanë fajësuar anijet e vogla kineze.