Autoritetet nuk janë gati për “betejë” me zjarret, vetëm 1 nga 3 air traktorët në dispozicion

Autoritetet nuk janë gati për "betejë" me zjarret, vetëm 1 nga 3 air traktorët në dispozicion

Gazetare: Ajnur Bafqari

Në sezonin veror kur sikurse çdo vit, rritet numri i zjarreve, autoritetet nuk janë gati plotësisht për luftën me flakët. Vetëm 1 nga 3 air traktorët është në dispozicion, ndërsa dy të tjerët janë në servisim. Ndërkohë njësitë zjarrfikëse komunale përballen me mungesë të zjarrfikësve. Në të gjithë territorin e shtetit, nga 800 zjarrfikës të paraparë me ligj, ka vetëm 400. Ata nuk kanë kushte elementare për punë si veshje dhe çizme adekuate për luftë me zjarret, ndërsa në terren dalin me automjete që kanë mbetur madje edhe nga vitet e 40-ta.
Por Zv Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Kashmir Saliu, vlerëson se Drejtoria, megjithatë është gati për ballafaqim me zjarret.

“Tashmë ka arritur në RMV, një prej Air Traktorëve që ishte për servisim, dy të tjerët janë në fazën përfundimtare, po ashtu është tejkaluar problemi me pilotët, kështu që presim që gjatë verës të jemi maksimalisht të përgatitur në raport me zjarret. Dy të tjerat janë në fazën përfundimtare. Është çështje ditësh dhe javësh kur pritet të arrijnë në shtet”, tha Kashmir Saliu, Zv drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim .

Sipas parashikimit stinorë, vendin e pret një verë e thatë dhe shumë e nxehtë, dhe Drejtoria ka bërë plan për veprim gjatë zjarreve, dhe edhe pse janë të gatshëm për menaxhim të situatës me zjarret, Saliu thotë se natyra është e paparashikueshme dhe mund të sjell befasi.

“Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim, mbi baza të njohjeve bazë, bën një plan të caktuar për veprim gjatë zjarreve, megjithatë, natyra është e paparashikueshme dhe gjithmonë di të na befasojë. Mendojmë se si drejtori për mbrojtje dhe shpëtim jemi të gatshëm që këtë verë ta mbulojmë në raport me zjarret”, shtoi ai.
Sipas sistemit informativ evropian për zjarre pyjore, vitin e kaluar në Maqedoninë e Veriut ka pasur 126 zjarre nëpër pyje ku janë djegur mbi 94 mijë hektarë tokë. Vlerësuar me përqindje, në 2024-tën në Maqedoninë e Veriut është djegur 3,6 për qind nga hapësira e përgjithshme e tokës./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button