Autoritetet ruse ndalojnë Aleksei Navalnyn

Politikani opozitar rus, Aleksei Navalny është ndaluar nga forcat policore në aeroportin Sheremetyevo të Moskës, pak minuta pasi ai arriti nga Gjermania. Avokati i tij, që kishte udhëtuar me Navalnyn nga Gjermania për në Rusi, nuk është lejuar që ta shoqërojë atë.

Gjatë një transmetimi direkt, Navalny u pa teksa u mor nga autoritetet derisa ai po qëndronte pranë kabinës së kontrollit të pasaportave. Gruaja e tij, Yulia Navalnaya, e cila udhëtoi së bashku me të nga Gjermania, u lejua që të kalojë kontrollin e pasaportave.

Autoritetet e Shërbimit Korrektues rus kanë konfirmuar ndalimin e Navalnyt, raporti Interfax. Në deklaratën e këtij shërbimi u tha se Navalny është ndaluar për shkak të “shkeljeve të shumta” të kushteve të pezullimit të një dënimi të tij më 2014 për përvetësim fondesh. Pak para se të ndalohej, Navalny u tha gazetarëve se ishte “i lumtur” që është kthyer në Rusi dhe se u shpreh se është i bindur se nuk do të arrestohej.

Navalny kishte qëndruar për disa muaj në Gjermani, ku kishte marrë trajtim mjekësor pas një helmimi, për të cilin i ka fajësuar autoritetet ruse.

Ai ishte paralajmëruar nga autoritetet për mundësinë e arrestimit me të arritur në Rusi.

Avioni me të cilën po udhëtonte Navalny ateroi më 17 janar në aeroportin Sheremetyevo të Moskës, ndonëse paraprakisht ishte paraparë që të ateronte në aerportin Vnukovo.

Por, autoritetet ruse mbyllën për fluturime aeroportin Vnukovo.

Teksa po prisnin Navalnyn në aerportin Vnukovo, dhjetëra persona u arrestuan.

Në mesin e të arrestuarve është edhe Lyubov Sobol, avokat në Fondacionin Anti-korrupsion të Navalnyt; Ruslan Shaveddinov menaxher projektesh në këtë fondacion dhe gazetari i Novaya Gazeta, Vlad Dokshin. Raportohet se në mesin e të arrestuarve ka edhe gazetarë të tjerë.

LEXO EDHE:

Back to top button