Avioni i Lavrovit ndryshoi rutën e fluturimit, Bullgaria nuk hapi qiellin për Zaharovën

Avioni i Lavrovit ndryshoi rutën e fluturimit, Bullgaria nuk hapi qiellin për Zaharovën

Gazetar: Adrian Kerimi

Bullgaria nuk lejoi që aeroplani i ministrit të jashtëm rus, Sergej Llavrov të fluturojë mbi territorin e saj. Kjo jo për shkak të Llavrovit, por për shkak të zëdhënëses së diplomacisë ruse Marija Zaharova e cila ndodhet në listën e sanksioneve të BE-së dhe SHBA-ve. Si për ironi, autoritetet bullgare derisa Llavrov ishte nisur drejt Shkupit, theksuan se në aeroplan nuk duhet të jetë Zaharova nëse Llavrov dëshiron të fluturojë në qiellin bullgar. Për këtë arsye avioni i Llavrovit u detyrua të fluturojë mbi Gjeorgji, Detin e Zi, Turqi, Greqi dhe ateroi disa orë më vonë se sa ishte paraparë në Aeroportin e Shkupit. Autoritetet bullgare thanë se për shefin e diplomacisë ruse nuk ka pasur ndalesë por vetëm për Zaharovan dhe një pjesë të delegacionit, i cili gjithashtu ndodhet në listën e sanksioneve. Zaharova këtë veprim të Bullgarisë e ka cilësuar si “çmenduri të rrezikshme” duke deklaruar se për herë të parë në histori të njerëzimit, autoritetet shtetërore i ndalojnë fluturimin jo një avioni por një personi që ndodhet në të.

“Çmenduria dashakeqe rusofobe arriti deri në atë pikë sa për herë të parë në historinë tonë autoritetet ndaluan jo një avion, por një njeri që ndodhej në avion. Ja çfarë thuhet në notën e MPJ-së bullgare: “Avioni mund të fluturojë mbi Bullgari, por Marija Zaharova nuk mund të fluturojë me këtë avion”, deklaroi Marija Zaharova, Zëdhënëse e MPJ-së ruse.

Llavrov gjatë arritjes në samit nuk deshi të flas për rutën e ndryshuar të fluturimit.

Për vendimin e Bullgarisë ka reaguar edhe zëdhënësi i presidentit rus, Vlladimir Putin. Sipas Dimitrij Peskovit “vendimet e Bullgarisë vështirë se mund të shpjegohen, nuk bazohen në asnjë kornizë dhe përbejnë një absurditet për të mos thënë çmenduri”. Në vendimin e autoriteteve bullgare mbi kërkesën e Llavrovit për të fluturuar në qiellin bullgar ishte saktësuar koha kur shefit të diplomacisë ruse i lejohet kalimi i kufijve bullgar në qiell, përkatësisht 3 orë para samitit dhe 72 orë pas samitit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button