Avokati i Popullit: Distanca fizike dhe mësimi online ndikojnë në shëndetin mendor të fëmijëve

Respektimi i të drejtave të fëmijës është një nga gjërat më të rëndësishme për të cilën duhet të përpiqemi të gjithë, sepse për çdo shoqëri demokratike, të avancuar dhe të zhvilluar nuk ka gjë më të rëndësishme sesa krijimi i brezave të shëndetshëm, të arsimuar, punëtorë, tolerantë të gatshëm për të përballuar të gjitha sfidat që sjell jeta dhe koha moderne, tha sot Avokati i Popullit me rastin e 20 Nëntorit – Ditës Botërore të Fëmijëve.
“Prej më shumë se një viti fëmijët, jo vetëm në vendin tonë, por në mbarë botën, po përballen me një mënyrë jetese të ndryshme në të gjitha segmentet, përfshirë edhe procesin edukativo-arsimor. Distanca fizike, mësimdhënia online ka ndikuar dhe ndikon tek fëmijët, veçanërisht në shëndetin mendor dhe socializimin e tyre, si një segment i rëndësishëm në zhvillimin e tyre psikologjik. Në këtë drejtim, të gjithë aktorët janë të detyruar të bëjnë gjithçka në fuqinë e tyre dhe t’i ndihmojnë fëmijët që këtë periudhë ta kalojnë më lehtë/pa dhimbje, pa lënë pasoja të përhershme tek ata. 20 Nëntori shënohet si Dita Botërore e Fëmijëve dhe dita e Konventës për të Drejtat e Fëmijës, dhe është një ditë kur të gjithë ne përmbledhim përpjekjet, iniciativat, veprimet e marra për të përcaktuar statusin e fëmijës në shkollë, në familje dhe në përgjithësi në shoqëri, veçanërisht nga aspekti i respektimit të fëmijëve si individë me pikëpamjet dhe mendimet e tyre për të gjitha çështjet e rëndësishme, veçanërisht për çështjet që i shqetësojnë ata”, thekson Avokati i Popullit.
Jemi të vetëdijshëm se për zhvillimin harmonik të personalitetit të çdo fëmije, theksojnë ata, duhet të krijojmë kushte që ai të rritet në një mjedis të shëndetshëm familjar, në një atmosferë të këndshme të mbushur me lumturi, dashuri dhe mirëkuptim.