Gazetar: Adnan Qaili
“Në Ballkan, interesat politike mbajnë peng zhvillimin ekonomik.” Ky është konstatimi i krerëve të Forumit të odave të investimeve në Ballkanin Perëndimor që u mbajt në Shkup. Kryetari Odës ekonomike të Maqedonisë tha se elitat politike krijojnë probleme për të qëndruar në pushtet dhe jo të bëjnë parime ekonomike. Branko Azeski iu bën thirrje qeverive të 6 shteteve që ti lënë të lirë sektorët e biznesit të bashkëpunojnë mes vete, duke krijuar klimë të përshtatshme të shkëmbimit të mallrave dhe punëtorëve.
“E njëjta elitë politike pastaj të thotë ngrihuni ekonomikisht se do të integrohemi në BE. Me çfarë? Në BE me qëllime të qarta, me kuadër të kualifikuar dhe me para. Ata çdo ditë kapen për xhepat e sektorit privat, shkojnë me kuadro partiak në Bruksel të nisur me qëllimin sipas direktivave të tyre partiake”, deklaroi Branko Azeski, Kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë.
Kryeneçësie e disa shteteve që mbajnë peng vendet nga e kaluara me konflikte ushtarake dhe politike, në kohën e krizës ekonomike, vetëm se thellon hendekun e tregtimit të përbashkët. Por, Lulzim Rafuna, kreu i Odës ekonomike të Kosovës tha se ky forum do të jep mundësinë dy vendeve të kapërcejnë ndasitë.
“Ky forum na solli gjashtë odat e rajonit në një vend, përveç tjerash Odën Ekonomike të Kosovës dhe Odën Ekonomike të Serbisë ku do të kemi mundësinë e dialogut në kuadër të këtij eventi, për të tejkaluar eventualisht barrierat ekonomike që kemi ndërmjet dy vendeve”, tha Lulzim Rafuna, Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.
Një nga shembujt që u theksuan ishte “Ballkani i Hapur”. Sipas krerëve të odave ekonomike kjo nismë nuk i dha efektet e dëshiruara në bashkëpunimin ekonomik rajonal. /Alsat.mk








