Azir Aliu në “Rruga drejt”, flet për zgjidhjen e problemit me vetë-deklarimin e rrejshëm etnik gjatë punësimit

Azir Aliu në “Rruga drejt” flet për zgjidhjen e problemit me vetë-deklarimin e rrejshëm etnik gjatë punësimit

Gazetare: Fatlume Dervishi

Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Shoqërisë Informatike dhe Administratës po kërkojnë për një zgjidhje ligjore për të eliminuar rastet e keqpërdorimit të të drejtës për vetëdeklarim të përkatësisë etnike gjatë punësimit. Ministri Azir Aliu, në intervistë për “Rruga drejt”, duke komentuar rastin e punësimit të fundit në Komunën e Kumanovës të tetë maqedonase të vetëdeklaruar si shqiptar, duke keqpërdorur balancuesit për përfaqësim të drejtë etnik, thotë se përgjegjësia në këtë rast mbetet morale individuale. Përkatësia etnike në certifikatat e lindjes është një nga zgjidhjet që shqyrtohet.

“Këtu për fat të keq dua të them se është në pyetje edhe etika edhe morali i secilit. Që ti të ndryshosh etninë për një vend të punës, besoj se s’mund ta bëjë secili. Kjo flet shumë për profilin e tyre tetë personave që janë punësuar në atë komunë”, tha Azir Aliu, ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

A është zgjidhja që përkatësia etnike të shkruhet në certifikatat e lindjes, një nga idetë që e ka dhënë Aleanca për Shqiptarët?

“Një prej zgjidhjeve është ajo. Do të shohim. Grupet punese tani në Ministrinë e Drejtësisë, kolegu punon, ka krijuar grup punues nga i cili do të dalin me rezultate. Ne do t’u ndihmojmë në aspekt teknik dhe infrastrukturën me të cilën posedon shteti ynë. Gjithsesi do të jetë zgjidhje afatgjate që njëherë e përgjithmonë të tejkalohet ky keqpërdorim”, u përgjigj Aliu.

Alsat ka informuar për dhjetra raste të mëhershme kur qytetarë të një përkatësie etnike janë deklaruar rrejshëm se i përkasin një etnie tjetër, vetëm për t’ju përshtatur këtij kushti në konkursin e punësimit. Sistemi i balancimit, me hapjen e secilit konkursi të punësimit në institucionet publike, cakton edhe përkatësinë etnike që duhet të ketë kandidati me qëllim të sigurimit të përfaqësimit të drejtë etnik. Por keqpërdorimet vënë në pikëpyetje vërtetësinë e rezultateve që publikon secilin vit avokati i popullit e që tregojnë avancimin në punësimin e shqiptarëve dhe etnive të tjera.

“Pasi që ju mund të keni një emër i cili është deklaruar shqiptar dhe ai mund të jetë nacionalitet tjetër ose e kundërta, në këtë aspekt besoj se këto numra nuk janë shumë të saktë, nuk janë numra që na japin saktësi të madhe, megjithatë lart-poshtë aty duhet të qëndrojnë. Edhe keqpërdorimi, besoj, dua të besoj se nuk është më shumë se, le të themi, 0.5%, por edhe më pak”, theksoi Azir Aliu, ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

Aliu tha po ashtu se balancuesi tashmë bazohet në shifrat e regjistrimit të fundit për numrin e përgjithshëm të popullsisë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button