Bajden fitues absolut i zgjedhjeve, inaugurimi vjen pas një sërë protestash

Djepi i demokracisë, SHBA-ja shënoi dramën më të paparashikueshme të tranzicionit të pushtetit në historinë e saj. Zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit e nxorën fitues demokratin, Xho Bajdën, me mbi 81 milion vota rekorde. Ndërsa republikani, Donald Trump u bë presidenti i parë, që nga viti 1992, i cili nuk arriti ta fitonte mandatin e dytë presidencial. Shkaku i pandemisë, numërimi i votave zgjati më shumë se ndonjëherë më parë dhe Trump u vetë-shpall fitues para kohe. Trump asnjëherë nuk e pranoi rezultatin zgjedhor. Ai pa ofruar prova, akuzoi se votat ishin vjedhur duke i inkurajuar mbështetësit e tij që pakënaqësinë ta shprehnin përmes protestave. Protestat u përshkallëzuan më 6 janar, kur Kongresi amerikan po i çertifikonte rezultatet zgjedhore. Protestuesit hynë me dhunë në Kongres, duke e shokuar gjithë botën. 5 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u lënduan nga ngjarja, që e detyroi Trumpin të premtonte tranzicion të qetë të pushtetit. Trump u distancua nga hyrja e dhunshme në kongres dhe kërkoi të dënohen dhunuesit. Por demokratët e madje edhe një pjesë e bashkë-partiakëve republikanë akuzuan se ishte pikërisht Trump ai që kishte nxitur incidentin. Madje Dhoma e Përfaqësuesve javën e kaluar ngriti akuza për herë të dytë për shkarkimin e Trumpit, këtë radhë për nxitje të rebelimit dhe gjyqi i tij në Senat do të fillojë menjëherë pas inaugurimit të presidentit të ri. Nëse shpallet fajtor, Trump, mund të ndalohet të ketë post federal.
Gjithsesi përpara se të largohet nga Shtëpia e Bardhë, pritet që Trump ta shfrytëzojë të drejtën presidenciale të faljes së dënimeve. Madje ka dyshime se Trump do ta bëjë edhe një precedent të ri para kthimit në Florida, duke e përfshirë veten dhe familjen e tij në listën e mbi 100 personave që do të falen, edhe pse nuk janë të dënuar.

Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button