Bajden: Mbështetje e fortë për Finlandën dhe Suedinë

Gazetar: Shkëlzen Aqifi

Ndërsa Turqia ka deklaruar veton e saj për zgjerimin e NATO-s, dhe një gjë të tillë e ka artikuluar edhe Kroacia, amerikanët janë të vendosur për këtë lëvizje që NATO do të zgjerohet. Presidenti Biden priti në Shtëpinë e Bardhë liderët suedezë dhe finlandezë për t’i thënë botës dhe aleatëve se ata kanë mbështetjen totale dhe të pakushtëzuar amerikane. Bajden kishte një mesazh për gjithë skeptikët e zgjerimit të NATO-s. Ai tha se përfundimi është i thjeshtë, mjaft i drejtpërdrejtë: Finlanda dhe Suedia e bëjnë NATO-n më të fortë.

“Sot jam krenar të mirëpres dhe të ofroj mbështetjen e fortë të SHBA-ve për aplikimet e dy demokracive të mëdha dhe dy partnerëve të ngushtë për t’u bashkuar me aleancën më të fortë, më të fuqishme mbrojtëse në historinë e botës,” tha Xho Bajden, President i SHBA-ve.

Ndërkohë presidenti turk Erdogan sot edhe një herë tha se vendi i tij “do t’i thotë jo hyrjes së Suedisë dhe Finlandës në NATO”. Ai akuzoi të dy vendet për strehimin e “organizatave terroriste” kurde.

“Ne u thamë miqve përkatës se do t’i themi jo hyrjes së Suedisë dhe Finlandës në NATO dhe do të vazhdojmë rrugën tonë ashtu. NATO është një organizatë sigurie dhe ne nuk mund të pranojmë praninë e organizatave terroriste atje,” tha Rexhep Tajip Erdogan, President i Turqisë.

Nga Ana tjetër në një takim me Sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken, ministri i jashtëm turk Çavushogllu ofroi sinjale të përziera. Ai pohoi mbështetjen e vendit të tij për politikën e NATO-s “të dyerve të hapura” por përsëriti gjithashtu kërkesat e Erdoganit që të zgjidhen shqetësimet e sigurisë së Turqisë në lidhje me vendet kandidate.

“Turqia ka mbështetur politikën e dyerve të hapura të NATO-s edhe para kësaj lufte, por në lidhje me këto vende kandidate, ne kemi gjithashtu shqetësime legjitime për sigurinë se ata kanë mbështetur organizatat terroriste dhe ka gjithashtu kufizime të eksportit për produktet e mbrojtjes. Pra, ne tashmë shprehim shqetësimet tona,”tha Mevlud Çavushogllu, Ministër i Jashtëm i Turqisë

 Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u shpreh i bindur për arritjen e një vendimi të shpejtë për të mirëpritur Suedinë dhe Finlandën në NATO, pavarësisht kundërshtimeve të Turqisë.

“Ne po trajtojmë shqetësimet që ka shprehur Turqia. Sepse kur një aleat i rëndësishëm si Turqia ngre shqetësime sigurie, ngre çështje, atëherë sigurisht e vetmja mënyrë për t’u marrë me këtë është të ulemi dhe të gjejmë gjuhën e përbashkët,” tha Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

Suedia dhe Finlanda kanë ndjekur një kurs të gjatë neutraliteti mes Rusisë dhe NATO-s, por pushtimi i Ukrainës bëri që popujt e këtyre dy vendeve të shihnin si alternativë më të mirë anëtarësimin në NATO. Suedezët dhe finlandezët shpresojnë në një diplomaci më aktive amerikane për të përshpejtuar proceset, sepse të dyja vendet i plotësojnë të gjitha kushtet për të qenë anëtarë.

 

LEXO EDHE:

Back to top button