Bajrami: Kudo që luan, Shkëndija do të kërkojë fitoren

Shkëndija ka fituar 1:0 Makedonija Gj.P. në duelin e zhvilluar në Tetovë në kuadër të xhiros së 8-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë. “Kuqezinjtë” morën tre pikë me super golin e Erald Çinarit (59’), derisa pas ndeshjes kanë folur ndihmës trajneri Muharrem Bajrami dhe mbrojtësi Ardian Limani.
“Uroj skuadrën për fitoren. Mendoj se në këtë ndeshje treguam karakter pas asaj disfate në Kratovë dhe kjo ishte shumë e rëndësishme. Lojtarët performuan në mënyrën më të mirë për atë çka kemi përgatitur gjatë javës dhe ky fakt na gëzon neve si staf. Gjithsesi kampionati është i gjatë, duhet të vazhdojmë të punojmë pasi që për secilën risi duhet kohë. Ne thjesht kemi ndryshuar pak mënyrën e lojës që të kemi më shumë forca në sulm dhe mendoj se rezultati ka mundur të jetë më i thellë në këtë ndeshje për ta siguruar fitoren edhe më herët,” tha në fillim Bajrami.
“Kudo që të luajë Shkëndija qëllim do të ketë fitoren dhe në atë drejtim do të përgatisim skuadrën. Normal shumë gjëra varen edhe prej kundërshtarit, kështu që javë pas jave e ndeshje pas ndeshje do të përgatisim skuadrën duke parë edhe karakteristikat e kundërshtarit që do kemi përballë,” tha në fund Muharrem Bajrami.
Mbrojtësi 29 vjeçar Ardian Limani, në fitoren 1:0 ndaj Makedonija Gj.P. kishte paraqitjen bindshëm më të mirë prej kur ka veshur fanellën e Shkëndijës.
“Pavarësisht se sot kemi luajtur me një sistem të ri të vendosjes, mendoj se kemi bërë paraqitjen më të mirë në këtë kampionat, sepse kemi pasur shumë forca shtesë përpara dhe kemi krijuar disa raste me aksione të bukura dhe gjithashtu e kemi neutralizuar kundërshtarin me vetëm dy goditje drejt portës tonë edhe atë në fund nga ndërprerja. Ndërsa në rastet tjera mendoj se kemi qenë shumë të sigurtë dhe duhet të vazhdojmë me kështu paraqitje,” tha mes tjerash Limani.
Shkëndija fitoi tre pikë me golin e Çinarit në minutën e 59-të dhe me 16-të pikë udhëheq renditjen pas 8 xhirove në LPFM.