Bajrami: Lista të hapura për një proces më të mirë zgjedhor

Gazetari Agron Bajrami i ftuar në “Programi 200”, vlerëson se në rast se në zgjedhjet e ardhshme Republika e Maqedonisë së Veriut do të aplikonte modelin zgjedhor me lista të hapura, kjo do të rezultonte me sukses edhe më të mirë se në Kosovë, nga shkaku se Maqedonia ka numër më të madh të njësive zgjedhore, gjithsejtë gjashtë, derisa Kosova ka vetëm një njësi zgjedhore.
Mendoj se një monitorim, një riorganizim shumë më rigoroz gjithmonë është i nevojshëm pa marrë parasysh se çfarë sistemi zgjedhor keni, por në rast të zgjedhjes mes listave të hapura dhe të mbyllura unë gjithmonë do të isha për lista të hapura. Në rastin e Maqedonisë së Veriut nëse aplikoni në nivel vendi, besoj se do të keni më shumë sukses se Kosova për shkak se keni më shumë zona zgjedhore dhe përfaqësimi do të ishte më i mirë. Kosova problem më të madh e ka se është vetëm një zonë zgjedhore dhe gati shumica dërmuese e deputetëve në fund që përfundojnë në Kuvend janë njerëz që jetojnë në Prishtinë, dhe nuk i përfaqësojnë rajonet dhe ky është ai problemi që ne ende nuk kemi arritur ta zgjidhim”, tha Bajrami.