Ballkani Perëndimor, AUKUS, Kina dhe Afganistani në qendër të samitit të BE-së

Ballkani Perëndimor, AUKUS, Kina dhe Afganistani do të jenë në qendër të samitit të BE-së, ndërkohë që këta të fundit do të kërkojnë edhe të nxjerrin mësime nga marrëdhëniet e fundit me politikën e jashtme amerikane, kur të takohen sot për një samit dyditor në qytetin slloven të Kranjit.
Duke pasur parasysh zhvillimet në Afganistan, partneritetin e sigurisë AUKUS dhe drejtimin e marrëdhënieve dypalëshe me Kinën, presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel ka planifikuar një diskutim strategjik mbi rolin e BE në skenën ndërkombëtare.
Ka pasur shqetësim në BE pas njoftimit të SHBA-së se kishte negociuar një Pakt të Sigurisë në Indo-Paqësor me Britaninë e Madhe dhe Australinë, pa u konsultuar me BE-në në asnjë fazë.
Uashingtoni akuzohet gjithashtu për indiferencë ndaj interesave të aleatëve të tij në BE në lidhje me tërheqjen kaotike nga Afganistani.
Ekziston gjithashtu një skepticizëm i madh në sjelljen konfrontuese të SHBA-së ndaj Kinës dhe përpjekjeve të saj të qarta për të përfshirë BE.
Takimi i udhëheqësve të BE-së në Slloveni, e cila mban presidencën e radhës të BE -së, do të zhvillohet sot.
Një samit me shtetet e Ballkanit Perëndimor do të fillojë në të njëjtin vend nesër, ku do të diskutohen mundësitë për anëtarësimin në BE të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Kosovës.