Ballkani shkruan historinë, trajneri Daja zbulon çelësin e suksesit
Skuadra e Ballkanit mposhti Dinamo Zagrebin me rezultat 2-0 në kuadër të xhiros së dytë të Grupit C të Ligës së Konferencës, që është edhe fitorja e parë në këtë garë për këtë vit
Almir Kryeziu në minutën e 44-të dhe Ëalid Hamidit në minutën e 83-të shënuan golat në këtë fitore të Ballkanit. Kampioni i Kosovës ka arritur kështu një nga fitoret më të mëdha në historinë e klubit dhe futbollit tonë. Por me fitoret dhe net të tilla magjike sikur Ballkani na ka mësuar pasi vetëm këtë vit në “Fadil Vokrri” para Dinamos është gjunjëzuar edhe Ludogorets dhe BATE Borisov, klube që kanë luajtur shpesh në Ligën e Kampionëve.
Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, ka folur pas ndeshjes, duke i dhënë të gjitha meritat lojtarëve të tij për shpirtin dhe karakterin e treguar.
“Me ekipe si Dinamo natyrshëm se nuk mund të bësh një lojë kaq brilante sepse kanë goxha eksperiencë. Këtë lloj diference ne e zbusim dhe e ngushtojmë me faktin që jemi grup dhe të gjithë bashkë luftojmë. Luftojnë ata që janë në fushë, ata në bankinë dhe ne që jemi nga prapa”. Ne sollëm një mënyrë loje që pikat e forta të tyre t’i neutralizonim. Kjo është pozitive, por pa karakterin e lojtarëve që unë drejtoj, nuk do të mund t’i arrinim këto suksese”, ka thënë Daja.
Pas kësaj ndeshje “Portokallinjtë” do të udhëtojnë në Kazakistan për tu përballur me Astanan më 9 nëntor. Me 30 tetor do ta presin Plzenin në “Fadil Vokrri”, ndërsa ndeshjen e fundit në grupe e kanë ndaj Dinamo Zagrebit në “Maksimir”