Banorët e Shkupit prej ditësh përballen me reduktime të ujit të pijshëm
Banorët e Shkupit prej ditësh përballen me reduktime të ujit të pijshëm

Gazetare: Linda Ebibi
Pa rrymë mundet ndërsa pa ujë nuk mundet. Kështu thonë qytetarët për ndërprerjen e ujit që po ndodhë ditëve të fundit në kryeqytet. Sipas tyre, autoritetet duhet të gjejnë zgjidhje në mënyrë që në ditët e nxehta përvëluese të mos mbesin pa ujë. Ata gjithashtu thonë se të tjerët ujisin kopshte ndërsa disa nuk kanë ujë për nevojat elementare, ndërsa thonë se ka edhe lidhje të paligjshme të gypave të ujit.
“Uji nëse përdoret në mënyrë normale, më normalisht do të jetë për të gjithë. Ndërsa ka që ujin tënd e përdorë dikush tjetër”, u shpreh një qytetare.
“Në këtë kohë edhe gypat do të shpërthejnë, harxhojnë ujë. Duhet të kontrollojnë kush sa harxhon mbi të lejueshmen dhe të paguajnë, dhe jo ta lëshoj në oborr të rrjedh ujë. Kjo është punë e tmerrshme në këtë kohë të mos kesh ujë, është gjëja më e keqe. Pa rrymë mundet, pa ujë nuk mundet”, tha një qytetar.
“Normalisht është kohë vere të gjithë e përdorin për kopshte. Kjo do të zgjasë deri në fund të gushtit ose shtatorit dhe përsëri do të normalizohet” , theksoi një tjetër qytetar.
“Unë fillimisht e shoh nga aspekti im personal. Në shtëpinë time që është bërë para 55 vite në Çento, në 20 ditët e kaluara jam pa pikë uji, pres momente që të vij uji që të lahem, të laj dhëmbët, të bëj tush. Para disa ditësh isha i detyruar ta nxjerr pompën që para 22 viteve e ka hedhur në podrum babai im pasi nuk i duhej dhe unë kam menduar se ka mbaruar puna me këtë shtet dhe me këtë qytet se më nuk do kemi problem me ujin”, nënvizoi një qytetar.
“Tallen me njerëzit, më falini, por janë jo serioz… Problematike, dhe tani kush si e kupton”, tha një qytetar.
“Vetëm edhe kjo mungon të ndodh, në këtë të nxehtë patjetër duhet të gjejnë ndonjë zgjidhje, kjo mund të jetë keq e më keq. Njerëzit që kanë kopshte edhe ato ta kursejnë ujin pak të mos ujitin tërë kohën por vetëm në një periudhë të caktuar në mbrëmje”, u shpreh një qytetare.
Nga Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizime” , thonë se konsumi i pakontrolluar i ujit, veçanërisht në orët e pasdites, për ujitjen e gjelbërimit, kopshteve, fushave, larjen e makinave dhe për mbushjen e pishinave po shkakton dëm të drejtpërdrejt në sistemin e furnizimit me ujë dhe ndërprerje të ujit në të gjithë qytetin e Shkupit. /Alsat.mk