Barcelona gati të shes katër futbollist titullar në merkaton e verës

Barcelona thuhet se po përgatitet për një afat kalimtar të verës me vendime të rëndësishme, me disa lojtarë të profilit të lartë që mund të përballen me të ardhme të pasigurta në klub.

Sipas gazetës “Sport”, drejtori sportiv, Deko, po takohet në mënyrë aktive me agjentët për të diskutuar si transferimet e ardhshme ashtu edhe largimet e mundshme, ndërsa skuadra katalunase kërkon të ri-formësojë skuadrën nën drejtimin e trajnerit të ri Hansi Flik.

Klubi thuhet se po i jep përparësi shitjeve strategjike për të gjeneruar fonde, me Dekon që e ka bërë të qartë në takimet e fundit se klubi “duhet të shesë për të blerë”. Ndërsa asnjë lojtar nuk është vendosur zyrtarisht në listën e transferimeve, Barcelona thuhet se është e gatshme të dëgjojë ofertat për disa anëtarë të skuadrës që nuk janë të garantuar titullarë sezonin e ardhshëm.

Ndër ata që përmenden si largime të mundshme janë: Ronald Arauho, Frenkie de Jong, Gavi dhe Ansu Fati. Të tjerë si: Inaki Pena, Hektor Fort, Fermin Lopez, Pablo Torre dhe Pau Viktor janë gjithashtu në shqyrtim nëse mbërrijnë oferta të përshtatshme. Situata rreth De Jong mbetet kyçe. Mesfushori holandez ende nuk ka rënë dakord për një kontratë të re dhe, nëse bisedimet ngecin, Barcelona mund të detyrohet të vlerësojë ofertat në vend që të rrezikojë ta humbasë atë më vonë.

Ndërkohë, Ansu Fati është një tjetër emër që mund të shitet për të mbledhur fonde, veçanërisht nëse interesi rikthehet nga Premier Liga ose Arabia Saudite.

Vetëm Lamine Yamal thuhet se konsiderohet i paprekshëm në skuadrën aktuale, me Dekon të hapur për negociata që përfshijnë pothuajse të gjithë të tjerët – me kusht që ofertat të jenë mjaftueshëm të konsiderueshme. Qëllimi është të ri-investohet në nënshkrime të nivelit të lartë, duke ruajtur skuadrën konkurruese.

Barcelona po punon gjithashtu për të finalizuar rinovimet, veçanërisht për De Jong dhe Rafinja. Të dyja rastet mbeten të hapura, megjithëse ka më shumë optimizëm rreth zgjatjes së kontratës së De Jong. Rafinja ka tërhequr interes nga Arabia Saudite, me një klub që besohet se i ka paraqitur atij një ofertë që do të përcaktojë karrierën e tij.

LEXO EDHE:

Back to top button