Klubi i Barcelonës në orët e vona të ditës së mërkurë e ka shkarkuar Ronald Kumanin nga posti i trajnerit kryesor. Shkarkimi i trajnerit holandez ka ardhur pas rezultateve negative në këtë sezon. Fillimisht ishte humbja nga Real Madrid në “El Klasiko” dhe në sfidën e fundit, u mundën nga Rajo Valejkano me 1-0, një fitore e pritur plot 16 vite për skuadrën vendase.
Kumani largohet me fitimin e vetëm trofeut të Kupës së Spanjës, dhe me 77 ndeshje në pankinën e Barcelonës. Simbolikisht trajneri holandez largohet më 27 tetor, në të njëjtën ditë kur vitin e kaluar dha dorëheqje presidenti Bartomeu, që e angazhoi Kumanin për trajner në “Kam Nou”.
Sipas mediave katalonase, tre kandidatët , deri në fund të javës do të duhet të japin përgjigje për ftesën e Barcelonës. Mes tyre janë Çavi Hernandez, që punon në Katar. Pastaj këtu është trajneri i River Platës, Marselo Galardo dhe Serhi Barhuan, trajner i të rinjëve te Barcelona.
Barcelona nën drejtimin e Kumanit në La Liga në këtë sezon në 10 ndeshje regjistroi 4 fitore, 3 humbje dhe 3 barazime, duke u renditur e nënta me 15 pikë.








