“Bardhezinjtë” tradhtojnë në orët e fundit Lukakun

Skuadra e Juventusit nuk është gati që të paguajë 40 milionë euro dhe pagë prej 11 milionësh në sezon për Romelu Lukaku-n. “Bardhezinjtë” tradhtojnë në orët e fundit Lukakun që prishi madje edhe marrëdhëniet me Interin, për të përqafuar armiqtë e “zikaltërve”.

Çështja e belgut mori përmasa të mëdha aq sa Interi hoqi dorë përfundimisht, duke i lënë rrugë të lirë Juventusit, por pavarësisht dëshirës së Masimiliano Alegrit, drejtuesit duket se kanë disa dyshime në lidhje me këtë operacion.

Përveç shumës së konsiderueshme financiare që duhet të paguajnë për të afruar 30-vjeçarin, në Torino janë të shqetësuar edhe për reagimin e tifozëve, të cilët nuk dëshirojnë një lojtar që e konsiderojnë mercenar, i cili ka deklaruar në të shkuarën se nuk do të luante kurrë për një skuadër si Juventusi, ndërsa çështja “Vlahoviç” nuk po gjen zgjidhje dhe mungesa e një oferte të mirë për serbin e bën të pamundur operacionin “Lukaku”.

Ndërkohë që po stërvitet i veçuar në qëndrën “Cobham” të Chelsea-t, alternativë e vetme për belgun mbetet Arabia Saudite, që ai e refuzoi kategorikisht disa javë më parë, me shpresën se mund të luante në Serie A. Sipas mediave italiane, në Torino nuk e mendojnë të gjithë si trajneri./Indeksonline/

LEXO EDHE:

Back to top button