Bashkëpunim rajonal kundër gërmimeve pa leje të artefakteve kulturore
Bashkëpunim rajonal kundër gërmimeve pa leje të artefakteve kulturore

Gazetare: Ajnur Bafqari
Në lokalitetet arkeologjike në vend shpesh tentohet që të bëhen hulumtime të paligjshme, gërmime pa leje, fshehje të artefakteve kulturore dhe shitje apo tregtim ilegal të tyre jashtë vendit. Ish prokurorja e krimit të organizuar dhe korrupsionit, Maja Kunovska thotë se veprimet e tilla zakonisht bëhen nga grupe të organizuara, ndërsa shumicën e rasteve ato bashkëpunojnë me përfaqësues nga jashtë vendit.
“Relativisht shpesh kemi raste të tillë, ata nuk punojnë vetëm, rrallë kush që punon vetëm, bëhet fjalë për grupe të organizuara që në mënyrë të organizuar shkojnë nëpër lokalitete arkeologjike, gjithandej nëpër shtet, nuk mund të theksoj në këtë apo atë vend. Përvoja flet për raste të tilla në të gjithë territorin e shtetit, punojnë me hulumtime jolegale që është e ndaluar…Gjithmonë nevojitet të ketë edhe dikush jashtë që do ta pranojë lëndën që është lëndë shitblerjeje. Por më së shumti janë grupe që vijnë nga Maqedonia”, tha Maja Kunovska, Prokurore.
Ministri i Kulturës dhe turizmit tha se tregtia ilegale me të mirat kulturore është një problem global dhe kërkon një përgjigje globale, por për ta luftuar atë, nevojitet edhe bashkëpunim i fuqishëm rajonal.
“Është e domosdoshme që të gjitha vendet e rajonit, së bashku me të gjitha kapacitetet në dispozicion, të bashkohemi dhe të bashkëpunojmë në aktivitetet për kundërshtim dhe kthim të lëndëve të vjedhura dhe të nxjerrura në mënyrë ilegale…Në këtë kontekst dua të rikujtoj bashkëpunimin me Shqipërinë, kur falë qasjes së koordinuar dhe profesionale në mënyrë të suksesshme të të dyja shteteve, në mënyrë të suksesshmë u bë kthimi i 20 ikonave nga kishat dhe manastiret maqedonase që ishin nxjerrë në mënyrë të ilegale”, deklaroi Zoran Mitkov, Ministër i kulturës dhe turizmit.
“Krimi kundër pasurive kulturore përbën krim. Për tu luftuat ky lloj krimi duhet forca të zbatimit ligjor, kornizë rregullatore, edukim dhe ngritje e ndërgjegjësimit. Meqenëse është krim i veçantë, kërkon gjithashtu specializim, dije dhe ekspertizë. Policia ka një rol kyç si forcë e zbatimit të ligjit, por është shumë e rëndësishme që në polici të ketë një departament të specializuar në krimin ndaj pasurisë kulturore”, tha Mateo Rosati, Byroja rajonale e UNESKO-s për shkencë dhe kulturë.
Gjatë 13 viteve, në Maqedoninë e Veriut janë kapur 5 grupe të krimit të organizuar që kanë bërë vepra kundër trashëgimisë kulturore, ndërsa vetëm dy prej tyre tashmë kanë përfunduar ligjërisht. /Alsat.mk