Bashkimi Evropian do të rishikojë Marrëveshjen e Bashkëpunimit Politik dhe Ekonomik me Izraelin
Bashkimi Evropian do të rishikojë Marrëveshjen e Bashkëpunimit Politik dhe Ekonomik me Izraelin

Bashkimi Evropian do të rishikojë marrëveshjen për bashkëpunim politik dhe ekonomik me Izraelin për shkak të përkeqësimit të situatës humanitare në Gaza, tha Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme Kaia Kallas pas një takimi të ministrave të jashtëm në Bruksel. Presioni mbi qeverinë izraelite është intensifikuar pas daljes së ankesave për mungesën e ndihmës humanitare në Gaza, ndërsa qeveria e kryeministrit Netanyahu nisi një ofensivë të re ushtarake në enklavë. Kallas tha se një “shumicë e fortë” e ministrave mbështeti një iniciativë për të rishikuar marrëveshjen e asociimit me Izraelin, me theks në respektimin e klauzolës së të drejtave të njeriut.
Kaia Kallas, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme: Ajo që po themi është se vendet e shohin situatën në Gaza si të paqëndrueshme dhe ajo që duam është t’i ndihmojmë vërtet njerëzit, si dhe duam që ndihma humanitare të zhbllokohet në mënyrë që ajo të mund të arrijë tek njerëzit.
Sipas diplomatëve, 17 nga 27 shtetet anëtare mbështetën iniciativën, e cila u propozua nga Ministri i Jashtëm holandez Kaspar Veldkamp. Arsyeja për iniciativën evropiane është fakti se Izraeli, që nga fillimi i marsit, ka bllokuar pothuajse plotësisht dërgimin e ndihmës humanitare në Rripin e Gazës, ku jetojnë rreth 2 milionë palestinezë. Izraeli i justifikon veprimet e tij duke pretenduar se grupi islamist Hamas përfiton nga këto dërgesa. Ndërsa lejet e fundit për dërgesa të kufizuara humanitare janë mirëpritur, ato janë të pamjaftueshme dhe janë përshkruar si “vetëm një pikë në oqean”. Holanda ka thënë se nuk do të mbështesë zgjatjen e planit dyvjeçar të veprimit BE-Izrael derisa të bëhet një vlerësim nëse veprimet e Izraelit janë në përputhje me marrëveshjen.