Bashkimi Evropian do t’i vëzhgojë nga afër lëvizjet politike në Siri

Bashkimi Evropian do t’i vëzhgojë nga afër lëvizjet politike në Siri

Bashkimi Evropian do t’i vëzhgojë nga afër lëvizjet politike në Siri dhe do të jetë afër këtij shteti nëse synon paqen në të ardhmen, por nuk do të përkrahë islamizimin e Sirisë, ka thënë ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock. Ajo, së bashku me homologun e saj francez, Barrot, kanë udhëtuar në Siri, në emër të BE-së, për të parë situatën nga afër. Baerbock dhe Barrot janë takuar me liderin de facto të Sirisë, Ahmed al-Sharaa përgjatë vizitës. Baerbock ka thënë për media gjermane se përshtypja e saj e parë është se shoqëria është e përçarë në Siri.

“Por, natyrisht, ne në Evropë nuk do të jemi financues të islamizimit të shoqërisë. Në njërën anë, ka shpresë për liri pas aq shumë vjetëve të luftës civile, torturës dhe shtypjes. Në anën tjetër, shumë persona janë të shqetësuar që shpresat do të vdesin për gratë dhe minoritetet etnike. Kjo më është bërë e qartë”, deklaroi Analena Berbok, Ministre e Jashtme e Gjermanisë.

Mirëpo, sipas saj, lideri i ri sirian, ia ka pranuar që e kupton situatën e re, dhe që synon të adresojë çështjen e pjesëmarrjes së grave në jetën publike. Berbok i bëri thirrje Rusisë që të heqë dorë nga bazat e saj ushtarake në Siri. Sipas saj, një vendim i tillë do të tregonte respekt për sovranitetin e Sirisë

“Siria nuk duhet të bëhet përsëri një peng në duart e fuqive të huaja ose një eksperiment për forcat radikale si IS. Kjo nuk është vetëm në interesin e sirianëve, të cilët kanë shpresuar për lirinë e tyre për kaq shumë kohë, por edhe në interesin tone, të gjermanëve dhe europianëve”, shtoi Analena Berbok, Ministre e Jashtme e Gjermanisë.

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock udhëtoi papritur në Damask për bisedime me qeverinë e re siriane. Berlini mund të shfrytëzojë avantazhet në negociata edhe për riatdhesimin e refugjatëve sirian.

Regjimi brutal i Assadit është rrëzuar nga grupi Tahrir al-Sham (HTS), pasi gati 14 vjetësh luftë civile, si pasojë e së cilës janë vrarë mbi 500.000 njerëz dhe janë zhvendosur miliona tjerë. HTS është organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Assadi dhe familja e tij janë në Rusi, pas azilit që u është miratuar direkt prej presidentit rus, Vladimir Putin. Përgjatë regjimit të Assadit besohet se dhjetëra mijëra njerëz janë arrestuar padrejtësisht, janë torturuar dhe vrarë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button