Bashkimi Evropian i shqetësuar për mbylljen e disa komunave paralele serbe në Kosovë
Bashkimi Evropian i shqetësuar për mbylljen e disa komunave paralele serbe në Kosovë

Bashkimi Evropian tha se ndihet i shqetësuar për mbylljen e disa komunave paralele serbe në Kosovë së fundmi, dhe i ka bërë thirrje autoriteteve kosovare që këtë çështje ta zgjidhin në bisedime me Serbinë në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku.
Në një komunikatë për media, BE-ja tha se “mbyllja e papritur e këtyre zyrave do të ketë pasoja negative në jetën e përditshme dhe kushtet jetësore të komuniteteve serbe në Kosovë, sepse do ta kufizojë qasjen e tyre në shërbimet themelore sociale duke pasur parasysh mungesën e alternativave në këtë moment”.
Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, e mbështeti reagimin e BE-së dhe tha se “masat e njëanshme vetëm sa i hedhin benzinë zjarrit”, dhe se ato janë “e kundërta e uljes së tensioneve”. Në javët e fundit, autoritetet në Kosovë i mbyllën katër komuna paralele serbe, në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë.
Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, tha pas mbylljes së tyre se “koha e paligjshmërisë ka përfunduar dhe institucioni i vetëm i Serbisë brenda Republikës së Kosovës do të jetë ambasada e saj në Prishtinë”.