BDI dhe LSH: Dy vite në qeveri, VLEN në shërbim të programit të VMRO-së
Gazetar: Suad Bajrami
Dy vjetët të qeverisjes së VLEN-it, opozita shqiptare i quan dështim. Bilanci i partisë në pushtet, sipas BDI-së nuk paraqet listë suksesesh, por dështimesh, pasi sipas tyre asnjë premtim nuk është realizuar.
“Premtuan kushtetutë të re, nuk hapën as debat, premtuan ndryshime kushtetuese për tre muaj, për gjashtë muaj, por edhe më shumë se pas 24 muajsh nuk ka asgjë. Premtuan barazi të plotë për gjuhën shqipe, ata vetëm i dobësuan mekanizmat për mbrojtjen e saj, premtuan përfaqësim të drejtë, shfuqizuan balancuesin dhe përveç kësaj propozojnë ligj i cili në asnjë dispozitë të vetme nuk garanton përfaqësimin adekuat. Premtuan bankë shqiptare, nuk ekziston, premtuan aksione në vlerë prej 10 mijë eurosh për çdo qytetar, nuk janë askund, premtuan votën e diasporës, Ministrinë e Diasporës dhe Këshillin Nacional të Diasporës, nuk ekzistojnë”, tha Arta Bilalli Zendeli nga BDI.
Lidhja Shqiptare e Ziadin Selës, thotë se për këto dy vite të qeverisjes VMRO-ZNAM-VLEN u arritën dy objektiva kryesore: zbatimi në përpikëri i platformës së VMRO-së “Maqedonia përsëri e jotja” dhe rrënimi i Marrëveshjes së Ohrit në secilën nga katër shtyllat kryesore.
“Kujtoni kur VMRO dhe kryeministri Hristian Mickoski u zotuan se do të largojnë Balancuesin dhe Badenterin. Përmes Gjykatës Kushtetuese shfuqizoi Balansuesin dhe po përmes së njëjtës gjykatë shfuqizon çdo ligj e vendim që është sjellë me Parimin e Badenterit. Kujtoni kur tha se do ta rikthejë shtetin dhe institucionet në duart e maqedonasve. Fillimisht këtë e bënë përmes largimit të mijëra shqiptarëve nga puna dhe nga pozicionet udhëheqëse, ndërsa tani tentojnë ta bëjnë përmes propozim ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat ku përfaqësimi etnik eliminohet me “meritokraci” ndërsa parimi i Badenterit me “Badenter të vogël”, thonë nga Lidhja Shqiptare.
Opozita në vazhdimësi e akuzon VLEN-in se ka hyrë në qeveri pavarësisht se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2024 i ka humbur zgjedhjet te kampi politik shqiptar. Sipas tyre, VLEN është instrument në duart e kryeministrit Mickoski./Alsat.mk.








