BDI-ja hap rrjetin për ankesa, fton qytetarët të paraqesin diskriminimin dhe shkeljet
BDI-ja hap rrjetin për ankesa, fton qytetarët të paraqesin diskriminimin dhe shkeljet

Gazetare: Fatlume Dervishi
BDI-ja “merr rolin” e prokurorisë, Avokatit të popullit, antikorrupsionit e antidiskriminimit, disa muaj pasi u largua nga institucionet që i kishte drejtuar për më shumë se dy dekada, e nga brenda të cilëve do të kishte mundur të bënte ndryshime. Në facebook, integristët ftojnë qytetarët që të paraqesin çfarëdo vështirësie, shkelje ose pengese me të cilën përballen në institucione.
“A ke përjetuar mosrespektim të Ligjit për Gjuhën Shqipe? A të kanë mohuar një mundësi vetëm për shkak përkatësisë etnike apo politike? A ndjen se në institucionin ku punon, po të trajtojnë si qytetar i rendit të dytë? A je një kompani shqiptare që po përballet me pengesa dhe diskriminim etnik? Nëse ke përjetuar padrejtësi, diskriminim apo përjashtim, na shkruaj në Messenger. Çështja jote nuk do të neglizhohet! Nëse nuk e themi sot, nesër do të jetë vonë!”, thonë nga BDI.
Nuk dihet akoma se çfarë do të bëjnë me këto ankesa të qytetarëve ose si do t’i trajtojnë ata. Nga kjo parti nuk sqarojnë as se në çfarë mënyre mund të ndihmojnë nga opozita zgjidhjen e këtyre problemeve. Një ftesë e tillë për qytetarët nuk ishte bërë më herët, kur ata ishin në pushtet.
Nga partia e Ahmetit megjithatë akuzojnë se ata që erdhën në pushtet me slloganin “Maqedonia përsëri e ytja” po fshijnë shqipen nga institucionet, po largojnë shqiptarët nga administrate, po krijojnë barriera për të kufizuar mundësitë e tyre dhe po bllokojnë kompanitë shqiptare.
Kjo nuk është hera e parë që BDI-ja ka bërë një fushatë me të cilën do të dukej më afër qytetarëve. Por ajo ka qenë në prag të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e planifikuara në pranverën e vitit 2020, në kohën kur fillimisht u përhap pandemia. Kjo parti atëherë ftoi qytetarët e izoluar në shtëpitë e tyre të kërkojnë ndihmë nga aktivistët e tyre në secilën komunë, në nismën që quajtën “Kujdesemi”. Vetëm pak ditë nga hapja e linjës telefonike, me anulimin e zgjedhjeve parlamentare për shkak të virusit, u zhduk edhe linjë telefonike, edhe aktivitetet për të ndihmuar qytetarët./Alsat.mk